Përfshirja e grave në sektorin e TIK-ut është në trend rritës

Prishtinë, 17 nëntor 2020 – Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, në bashkëpunim me Kolegjin AAB, organizuan një forum virtual gjatë së cilit u adresua revolucioni i jashtëzakonshëm teknologjik që po karakterizon periudhën pas shpërthimit të pandemisë, ndërsa në fokus të veçantë u adresua nevoja për promovimin e përfshirjes së grave në këtë sektor. Ky forum virtual u organizua në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë, e cila në Kosovë organizohet nën udhëheqjen e Qendrës së Inovacionit të Kosovës (ICK).

Valdete Daku, inxhiniere softuerike dhe e databazës në Kolegjin AAB, theksoi si anë pozitive trendin e rritjes së pjesëmarrjes së grave në sektorin e teknologjisë nga viti në vit. Sipas saj, gratë duhet të kenë mundësinë të shfrytëzojnë në mënyrë të mirëfilltë teknologjinë si dhe përfitimet që sjell ky sektor në përgjithësi, me ç ‘rast përmendi zhvillimin e vazhdueshëm të kësaj fushe që ndikon në avancim gjithëpërfshirës së grave në aspektin profesional. Tutje Daku tha se prania e kompanive të huaja në Kosovë të cilat janë të etabluara në tregje ndërkombëtare rrisin mundësitë për përfshirjen e grave në këtë sektor.

Nita Pallaska menaxhere e projektit për zhvillim softuerik në kompaninë Kosbit potencoi se gratë në përgjithësi, janë në disavantazh sa i përket punësimit në pozita kyçe brenda kompanive si rrjedhojë e pushimit të lehonisë dhe çështjeve sociale që krijojnë hezitim tek punëdhënësit gjatë punësimin e grave. Sipas saj, Qeveria e Kosovës si dhe institucionet relevante duhet të punojnë më shumë për eliminimin e barrierave dhe diskriminimit gjinor në rekrutim dhe paga. Duke iu referuar eksperiencave të saj, Pallaska u rekomandoi të gjitha grave që synojnë sektorin e teknologjisë të drejtohen tek organizatat dhe akterët e kësaj fushe si dhe të shfrytëzojnë rrjetin dhe mundësitë ekzistuese në tregun vendor.

Gresa Lahi menaxhere e Dev Ops në kompaninë Prosperoware cilësoi si të pamjaftueshme promovimin e përfshirjes së grave në sektorë si ai i teknologjisë ndërsa shtoi se duhet të punohet më shumë në këtë drejtim. Një çështje tjetër e ngritur nga ajo ishte edhe nevoja për të rritur nivelin e njohurive për këtë sektor, në veçanti për nën-fushat dhe ndarjet që përbëjnë sferën e teknologjisë në mënyrë që gratë të jenë më të përgatitura për të hyrë në tregun e punës. Në këtë aspekt, ajo rekomandoi krijimin dhe promovimin e trajnimeve dhe kurseve për aftësim profesional të grave, për të cilat kërkohet mbështetje nga shteti.