Përfshirja e zhvillimit të qëndrueshëm për një mjedis më të mirë

Prishtinë, 11 nëntor 2021– Përfshirja e synimit të zhvillimit të qëndrueshëm u trajtua gjatë forumit të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Maria Suokko nga UNDP pohoi se synimi i zhvillimit të qëndrueshëm janë themeli i gjithçkaje që ata bëjnë. Përveç kësaj, ajo tha se këto parime pasqyrojnë të gjithë mirëqenien e njerëzve dhe planetit në përgjithësi. Suokko tha se komunitetet e gjelbra duhet të punojnë së bashku për t’i inkorporuar këto parime në Kosovë, duke pohuar se shumë vende po shkojnë prapa drejt agjendës së gjelbër për shkak të pandemisë. Sipas saj, në Kosovë ka pasur progres dhe se përmes sektorit privat, inovacioneve dhe përfshirjes së partneriteteve mund të sigurohet zhvillim i qëndrueshëm pasi këto parime kanë një agjendë ambicioze.

Themeluesja e Fight or Flight, Hana Zeqa pohoi se si sipërmarrës të rinj, fokusi i tyre është zhvillimi i qëndrueshëm në fushën e modës. Për më tepër, ajo pohoi se ideja fillestare nuk ishte krijimi i një marke tjetër, por gjithmonë duke pasur parasysh prodhimin dhe promovimin e vetëdijes në lidhje me përfshirjen e këtyre parimeve. Për sa i përket ‘Slow fashion’, ajo përmendi vështirësinë e gjetjes së materialeve të qëndrueshme, pasi në Kosovë nuk ka shumë burime dhe se duhet t’i marrin ato nga vendet e tjera.

Niki Murseli, bashkë-themeluesja e DyVo tha se po punojnë me mbetjet plastike duke edukuar brezat e rinj për të punuar me materiale të qëndrueshme dhe duke i ndihmuar me njohuri profesionale, pasi ata janë liderët e së ardhmes, prandaj dhe punojnë në ngritjen e ndërgjegjësimit në lidhje me këtë temë.

Frosina Islami nga Coca-Cola HBC Kosova dhe njëherit edhe moderatore e këtij forumi theksoi rëndësinë e mënyrave se si gjeneratat e reja mund të inkorporojnë parimet e synimit të zhvillimit të qëndrueshëm në Kosovë.