Prishtinë, 10 nëntor 2021– Për të diskutuar për zhvillimin dhe ndërmarrësinë e qëndrueshme në Kosovë, Oda Ekonomike Amerikane organizoi forumin e saj të radhës, me hisedarë nga Ambasada Amerikane, organizata jo-qeveritare dhe sektori privat.
Zyrtarja për çështje Ekonomike dhe të Tregtisë në Ambasadën Amerikane, Valerie Tucker u shpreh se zhvillimi i qëndrueshëm është sektor që ka potencial për investim. Energjia e ripërtëritshme dhe riciklimi janë dy fusha që duhet të konsiderohen si më të rëndësishmet, tha ajo. ‘Kosova ka sfida në kualitetin e ajrit dhe resurseve të ujit, e këto janë kritike për ambientin ku ne jetojmë’, shtoi Tucker.
Guri Shkodra, menaxher i projektit në SOWI Kosova tha se jetojmë në një kohë ku po shkaktohen dëme të madhe në planetin tonë. Ai tha se duhet përkushtim individual, e më pas edhe i bizneseve për një ambient më të mirë dhe përshtatshëm, dhe se sfidat e ndërmarrësve korrespondojnë më shumë në aspektin ligjor se në atë financiar.
Koordinatori i Projektit në Balkan Green Foundation, Shpend Mustafa theksoi se nëpërmjet trajnimeve, ky fondacion u ndihmon të rinjve që me idetë e tyre të biznesit, të kenë ndikim të madh në shoqëri, e deri në rezultatin e duhur gjatë rrugëtimit të tyre. Tutje, Mustafa bëri thirrje të ndihmohen bizneset e vogla ekzistuese, e edhe ato të reja.
Enisa Serhati, menaxhere e portfolios në UNDP, u shpreh se zhvillimi i qëndrueshëm ende është në fazat kritike. Tutje, ajo tha se kane zhvilluar trajnime që të mbështesin strategjitë për zhvillim të qëndrueshëm dhe ambient më të mirë.
Valon Hoti, drejtor i kompanisë Zinkunie tha se ka vend për përmirësime në aspektin e ambientit në Kosovë krahasuar me tregun evropian. Hoti u bëri thirrje ndërmarrësve të fokusohen në produktet e riciklueshme, e njëherit edhe investitorëve të huaj që të përkrahin Kosovën në krijimin e një ambienti më të mirë për komunitetin.
Donikë Beqiri, asistente për hulumtim në INDEP, përmendi rëndësinë e përfshirjes së lëndëve që mbështesin ambientin dhe agjendën e gjelbër në shkolla. Në këtë mënyrë, Beqiri tha se do krijohet një kulturë e re mësimore për arsimin para-universitar.
Karsten Klapp, themelues i ‘GoBeyond’ tha se Kosova ka potencial të madh për ndërmarrësi dhe shtoi se prodhimi varet nga fermerët. Ai inkurajoi ndërmarrësit të mendojnë edhe për të ardhmen e biznesit dhe ndikimit të tij në ambientin ku jetojmë.