Prishtinë, 22 nëntor 2019 – Në vazhdimësi të aktiviteteve të organizuara në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë, Oda Ekonomike Amerikane organizoi një bashkëbisedim me të ftuarat Afërdita Mekuli nga DAI Global, si dhe Afrore Rudi nga Deloitte Kosova të cilat ndanë rrëfimet e tyre me një audiencë prej 30 vajzave dhe grave, pjesëmarrëse të programit të Odës Amerikane për Rritjen e Punësimit të Grave.
Aferdita Mekuli, zv. Drejtoreshë e DAI Global, pasi tregoi për rrugëtimin e saj dhe sfidat e shumta nëpër të cilat ka kaluar, i këshilloi të pranishmet se për të qenë të suksesshme përpos edukimit të mirëfilltë duhet që sa më parë të kyçen edhe në punë praktike, sepse sipas saj, për t’u bërë profesioniste duhet praktikë dhe angazhim i vazhdueshëm. Ndërsa, Afrore Rudi, Drejtoreshë në Departamentin e Taksave dhe Ҫështjeve Ligjore në Deloitte Kosova, tha se, shkollimi është faktori i parë që ndikon për t’i hapur dyert e krijimit të karrierës, dhe pastaj gjithçka vazhdon me punë dhe me atë se sa jeni të përkushtuar. Ajo shtoi se në rrugëtimin drejt zhvillimit të karrierës gjithmonë ka sfida nga më të ndryshmet, mirëpo këto sfida duhet të shihen si një shtysë për të ecur përpara.
Të dy folëset u shprehën se me përcaktimin e objektivave për atë se çfarë dëshironi të arrini, nëse ekziston vullneti dhe dija atëherë barrierat e feminizmit nuk do të jenë pengesë në zhvillimin e karrierës.