Praktikat inovative në biznese hapin rrugë për integrim në tregun global

Prishtinë, 15 shkurt 2021 – Megjithëse infrastruktura e inovacionit në Kosovë është në zhvillim e sipër dhe ka ende hapësirë për përmirësime, mund të konsiderohet se disa nga bizneset në vend kanë qenë mjaft të suksesshme në inkorporimin e inovacionit në aktivitetet e tyre, pavarësisht rrethanave. Eksplorimi i mundësive për përfshirjen e iniciativave inovuese në biznese, si dhe rritja e kreativitetit të korporatave, ishin pikat kryesore të diskutuara gjatë forumit të radhës virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Kjo ngjarje u moderua nga Dafina Arifi, udhëheqëse e departamentit të konsulencës në kompaninë Elba Technology, e cila cilësoi inovacionin dhe kreativitetin si katalizatorë për digjitalizim dhe ndryshim transformativ, derisa tha se kompania që ajo përfaqëson është shumë prezente në tregun evropian dhe deri më tani ka bashkëpunuar me një sërë kompanish të mëdha globale në aspektin e digjitalizimit, derisa edhe është shpallur një nga 10 kompanitë më të mira në ofrimin e shërbimeve të robotikës në Evropë.

Ndërsa, folës kryesor i këtij forumi ishte Mentor Pllana, bashkëthemelues dhe drejtor menaxhues në BP Home, i cili theksoi se aktiviteti i biznesit të kësaj kompanie është i fokusuar në transformim nga mënyrat tradicionale të ndërtimtarisë, në prodhimtari digjitale të shtëpive, të bazuara në shërbime të qëndrueshme. Pllana e konsideroi inovacionin si proces përmes së cilit me pak prodhohet shumë, derisa gjithashtu foli mbi nevojën që vendi të fokusohet në bashkëpunim, inovacion dhe globalizim, ashtu që të krijohen kushte më të mira të jetesës për të gjithë.

Sipas Pllanas, Kosova duhet të fokusohet në digjitalizimin e proceseve, zhvendosjen në burime të ripërtërishme të energjisë si dhe përdorimin e mëtejmë të internetit për globalizim, gjithnjë duke ndjekur qëllimet për zhvillim të qëndrueshëm. Ai gjithashtu foli mbi mundësitë e vendit për t’u integruar në tregje globale me produkte dhe shërbime, ku përmendi potencialin e rinisë së vendit, derisa gjithashtu tha se vëmendja kolektive nuk duhet fokusuar në aspektet negative.

“Ne duhet me e ndërru dioptrinë, Kosova është mirë, dhe Kosova ka kompani të cilat kanë potencial për të krijuar produkte dhe shërbime për tregun global,” u shpreh Pllana.