Prioritetet e financimit të BERZH: Mjedisi dhe qeverisja korporative

Prishtinë, 9 shkurt 2022 – Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi forumin me përfaqësues nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe ekspertë financiar për të diskutuar rreth prioriteteve të financimit për vitin 2022 dhe ndikimin e investimeve të huaja në zhvillimin ekonomik të vendit.

Neil Taylor, Udhëheqës i Zyrës së BERZH për Kosovë tha se ekziston një boshllëk në infrastrukturë në mes të sektorit publik dhe atij privat, siç ndodh edhe në pjesën më të madhe të vendeve evropiane, ndërsa që nga viti 2012 aktiviteti i BERZH është rritur në gjysmë miliard euro investime në Kosovë.

“Ne do vazhdojmë ndihmën tonë që bizneset të tejkalojnë krizën e pandemisë COVID19, duke pasur parasysh se themeli i ekonomisë së Kosovës është ende në zhvillim dhe në të cilën ekonomia joformale qëndron diku rreth 40%, i cili cilësohet si një problem masiv për operimin e bizneseve”, tha Taylor.

Duke folur për investimet e huaja, Taylor tha që do të dëshironte të shihte më shume investime në Kosovë. Ai përmendi edhe krizën energjetike si një nga problemet kryesore që do të përballen bizneset jo vetëm gjatë këtij viti, por edhe në vitet në vijim.