Procedura e ndërmjetësimit zgjedhja e duhur për një zgjidhje të duhur

Prishtinë, 19 maj 2021 – Ndërmjetësimi, procedurë kjo që u ndihmon palëve të arrijnë një kompromis dhe të ballafaqohen me çështjet në raste ose fusha të dobësisë, dhe të përfitojnë nga zgjidhja e duhur. Për të biseduar rreth ndërgjegjësimit të ndërmjetësimit, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, së bashku me Aktivitetin për Drejtësi Komerciale të USAID, ka organizuar forumin virtual të radhës, me ndërmjetësues.

Yll Zekaj, ndërmjetësues, theksoi se ekziston një dallim mes ndërmjetësimit, arbitrazhit dhe procedurave gjyqësore, duke cekur se ndërmjetësimi është procedurë e rregulluar me ligj, e cila hyn në kuadër të zgjidhjes së konteksteve në mënyrë alternative, jashtë procesit të gjykatave. Duke përdorur ndërmjetësimin si alternativë, palët kanë mundësi të zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre duke angazhuar një person të paanshëm, në këtë rast ndërmjetësuesin, që ta lehtësojë procesin, meqë roli i ndërmjetësuesit është që të krijoj mundësi në favor të palëve në mosmarrëveshjen e krijuar. Zekaj tutje theksoi nevojën për krijimin e platformës online, me anë të seancave ndërmjetësuese, për shkak të situatës me pandemi, të cilat kanë rezultuar të suksesshme.

Për më tepër, ndërmjetësuesi Mentor Hajdaraj, theksoi arsyet se pse bizneset duhet të jenë në favor të ndërmjetësimin, si opsion në zgjidhjen e konteksteve të tyre. Ai tha se një ndër arsyet kryesore është sqarimi i dallimit mes procedurës gjyqësore (formale) dhe procesit të ndërmjetësimit (jo formale). Tutje, Hajdaraj theksoi disa nga parimet kryesore të cilat sjellin përfitime, ku ndër to përmendi edhe barazinë e palëve në procedura të ndërmjetësimit, vullnetin e palëve dhe mundësinë që palët të kenë në kontroll të gjithë procesin.