Projektet infrastrukturore shumë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit

Prishtinë, 17 gusht 2020 – Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një forum virtual me Ministrin e Infrastrukturës Arban Abrashi, gjatë të cilit u diskutuan mundësitë e zhvillimit ekonomik përmes projekteve infrastrukturore të cilat mund të rrisin cilësinë e jetesës dhe numrin e të punësuarve dhe padyshim ndikojnë pozitivisht në tërheqjen e investitorëve të huaj.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, theksoi rëndësinë që ka Ministria e Infrastrukturës për zhvillimin ekonomik të Kosovës, sidomos gjatë fazës së rimëkëmbjes nga pandemia COVID-19, përmes krijimit të vendeve të punës dhe efekteve të tjera multiplikative.

Ministri Abrashi theksoi se Ministria që ai drejton është e orientuar drejt zhvillimit të mekanizmave që kanë efekt të menjëhershëm agregat në ekonominë e Kosovës në përgjithësi, me theks të veçantë tek investimet kapitale. Sipas tij, Ministria e Infrastrukturës do të ndihmojë zhvillimin ekonomik duke investuar në infrastrukturën dhe transportin rrugor dhe ajror, linjat hekurudhore, dhe largimin e burokracive që pengojnë zhvillimin e projekteve tashmë të kontraktuara, siç është çështja e shpronësimit. Ministri Abrashi gjithashtu tha se me prioritet po trajtohet zgjerimi i rrugëve dhe ndërtimi i segmenteve për kyçje në autostrada, duke synuar evitimin e mbingarkimit të rrugëve nacionale.

Sipas Ministrit Abrashi, ekzistojnë pesë projekte madhore infrastrukturore të cilat do të kishin efekt mjaft pozitiv në ekonominë e vendit, që do të prezantohen në SHBA në shtator. Ai shtoi se këto projekte, në veçanti ai për autostradën Trudë – Merdare – Nish, tashmë kanë tërhequr interesim nga institucione financiare amerikane si dhe nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), dhe do të implementohen në momentin e finalizimit të planit ndërtimor.

Sa i përket transportit ajror, ai tha se është bërë kërkesë për uljen prej 30% të taksave të aeroportit të Prishtinës, në mënyrë që ai të jetë konkurrues me aeroportet e tjera të regjionit. Përtej kësaj, Abrashi theksoi se ekziston ideja për subvencionimet e një përqindjeje të çmimit të biletave për udhëtarë, duke ndikuar kështu zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë së vendit. Ai potencoi se po trajtohet kërkesa për të lidhur një marrëveshje të mirëkuptimit për stacionimin e aeroplanëve të kompanisë Lufthansa në aeroportin e Prishtinës, ndërsa theksoi se kërkesa të tilla kanë pranuar edhe nga kompani të tjera ndërkombëtare.

Sa i përket hekurudhave, Ministri Abrashi përmendi se për momentin po bisedohet për një lidhje hekurudhore Kosovë-Shqipëri, e cila ka potencial të sjellë të hyra të shumta për buxhetin vendor në një periudhë afatmesme. Ai theks të veçantë i dha përmirësimit të proceseve të transportit rrugor të mallrave, gjë që ishte edhe kërkesë e përfaqësuesve të bizneseve të Odës Amerikane. Sipas tij, transporti rrugor i mallrave po analizohet dhe është në proces të mbledhjes së informatave, trajtimit të dhënieve të lejeve bilaterale dhe ato të transitit për eksport në vende të treta, dhe po punohet që Kosova të anëtarësohet në institucione të huaja relevante që trajtojnë nevojat e transportuesve në mënyrë që të krijohen lehtësira për zhvillimin e veprimtarive të këtij sektori me ndikim mjaft të pozitiv në ekonomi.

Gjatë këtij forumi, përfaqësuesit e bizneseve anëtare të Odës Ekonomike Amerikane adresuan sfidat me të cilët po ballafaqohen si dhe dhanë rekomandimet e tyre rreth ndryshimeve të cilat duhet të implementohen për të siguruar një infrastrukturë më të mirë.