Punëtori për Udhërrëfyesin e Ekonomisë Qarkore me Sektorin Privat

Prishtinë, 10 qershor 2022 – Për të shpjeguar Udhërrëfyesin për Ekonominë Qarkore për sektorin privat, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kishte kënaqësinë të organizonte një seminar në bashkëpunim me UNDP-në, ku hisedarë nga sektori privat patën mundësinë të shprehin shqetësimet e tyre në lidhje me kalimin në ekonominë qarkore, si dhe të mësojnë mënyra të reja për të arritur këtë tranzicion. Ky seminar u mbajt nga Ladeja Godina Kosir (Themeluese dhe Drejtoresh` Ekzekutive në Circular Change) dhe Marco Segovia Bifarini (Menaxher i Projektit në Circular Change).

Maria Suokko, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së në Kosovë, në fjalën e saj hapëse tha se është e rëndësishme që sektori privat të ndryshojë mënyrën se si i prodhon produktet. Suokko beson se kalimi në një ekonomi qarkore është thelbësor për të kthyer mbrapsht dëmin e shkaktuar nga emetimet e gazeve serrë në një mënyrë të qëndrueshme.

Florije Tahiri, Zyrtare e Lartë për Trajtimin e Mbeturinave, MMPH, theksoi se Kosova po përballet me sfida të mëdha mjedisore. Për sa kohë që mbetjet nuk menaxhohen ende në mënyrë të integruar, atëherë niveli i ndotjes do të jetë i lartë, duke qenë se edhe lumenjtë dhe liqenet janë mjaft të ndotur. Ajo tha se Ministria e Mjedisit është duke punuar vazhdimisht për adresimin e këtyre sfidave, hartimin e strategjive dhe zbatimin e projekteve konkrete në këtë fushë.

Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, tha se ekonomia qarkore është përgjigje me rëndësi të madhe ndaj sfidave mjedisore lokale dhe globale. Më tej ai tha se ekonomia qarkore duhet të ndihmojë në adresimin e këtyre dhe çështjeve të tjera që kanë të bëjnë me varfërimin e burimeve natyrore, degradimin e mjediseve dhe gjenerimin e më shumë mbeturinave.