Qasja alternative për zgjidhjen e kontesteve lehtëson fushën e të bërit biznes

Prishtinë, 28 Shkurt 2023 – Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë muajin shkurt e përmbylli me një punëtori rreth proceseve ligjore, përkatësisht arbitrazhit dhe ndërmjetësimit si metoda alternative që ofrojnë avantazhe të shumta në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve jashtë sistemit gjyqësor dhe lehtësojnë veprimtarinë e bizneseve.

Ilir Gaxha, arbitër dhe ndërmjetësues në Qendrën e Arbitrazhit të Odës Amerikane elaboroi rreth arbitrazhit dhe ndërmjetësimit si metoda alternative për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, të cilat i cilësoi si shumë të dobishme dhe të nevojshme për të gjitha palët e përfshira. Ai theksoi avantazhet që këto metoda sjellin siç janë: shkurtimi i kohëzgjatjes së procedurave ligjore, kosto më e ulët, mundësia për të zgjedhur një arbitër të paanshëm si dhe marrja e një vendimi final që njihet nga institucionet ligjore shtetërore. Tutje, ai shtoi se duke i zgjidhur çështjet ligjore përmes këtyre metodave, bizneset mund të vazhdojnë veprimtaritë e tyre pa qenë të cënuara nga bllokimi i aseteve apo mbyllja e detyruar.