Qasja në financa, pikë kthimi për rimëkëmbje ekonomike

Prishtinë, 3 shkurt 2021 – Që nga shpërthimi i pandemisë COVID-19 dhe implementimi i masave që kufizonin lëvizjen dhe aktivitetin ekonomik, sektori privat dhe komuniteti i biznesit janë ballafaquar me qasjen në financa, si një ndër barrierat kryesore për zhvillim të tyre.

Sfidat, me të cilat ende përballen bizneset vendore dhe ato të huajat që operojnë në Kosovë, varësia nga remitancat, mundësitë dhe lehtësimi i qasjes në financa nga sektori financiar, si dhe perspektiva e këtyre institucioneve për gjendjen aktuale dhe zhvillimin ekonomik, ishin disa nga pikat kyçe të diskutimit në forumin e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Kryeshefi ekzekutiv i KEP Trust, Shpend Nura tha se gjatë periudhës para pandemisë, sektori mikrofinanciar ka treguar trend pozitiv të rritjes, ku ka pasur përmirësim dhe rritje të shërbimeve ndaj klientit. Duke u ndërlidhur me veprimet e ndërmarra nga sektori financiar, ai tha se ofrimi i ristrukturimit të kredive në tremujorin e dytë të vitit 2020, si lehtësirë për bizneset, ka qenë një shtytje e fuqishme për rimëkëmbje relative ekonomike.  Nura, gjithashtu shtoi se për të siguruar mbijetesën dhe zhvillimin ekonomik, kërkohet një përgjigje dhe veprim më i koordinuar mes akterëve ekonomik dhe institucioneve relevante.

Arijan Haxhibeqiri, zëvendës kryeshef ekzekutiv i Bankës Ekonomike, theksoi se në kontekstin e krizave financiare, pavarësisht natyrës së ndryshme të krizës së vitit 2008-2010, krahasuar me krizën gjatë periudhës së pandemisë, ekonomitë e zhvilluara kanë arritur të zhvillojnë politika monetare dhe fiskale si përgjigje ndaj impaktit financiar negativ të krizës së vitit 2008-2010, përderisa kriza e shkaktuar nga pandemia i ka zënë të gjithë të papërgatitur. Haxhibeqiri gjithashtu tha se në Kosovë të gjitha palët relevante kanë dhënë kontributin e tyre në menaxhimin e situatës. Haxhibeqiri, poashtu theksoi se trendi i financimit të klientëve nga bankat ka vazhduar gjatë tërë kësaj kohe.

Ramis Ahmetaj, konsulent biznesi tha se pavarësisht projeksioneve negative dhe sfidave tashmë të njohura, ka vend për optimizëm rreth rimëkëmbjes së ekonomisë vendore, në të ardhmen e afërt. Ahmetaj, gjithashtu tha se kërkesa në treg ka qenë e qëndrueshme dhe potencoi se kontratat për financime po lidhen edhe me institucione të huaja financiare, duke krijuar kështu një bazë stabile për të ardhmen. Në vijim, theks të veçantë i dha edhe nevojës për ndërmjetësues financiar, pasi që të njëjtit kanë ndikim të konsiderueshëm në zhvillimin ekonomik, në krijimin e strategjive të veprimit mes sektorit financiar dhe bizneseve, si dhe evitimit të riskut.

Zyrtarja kryesore financiare e Cacttus, si dhe anëtarja e Komitetit të Financave të Odës Amerikane, Fiknete Balaj-Haliti, moderuese e këtij forumi, duke iu referuar raporteve nga institucionet ndërkombëtare që parashikonin një rënie të konsiderueshme të ekonomisë kosovare, në veçanti sektorit të turizmit, prodhimit e eksportit, theksoi se në mënyrë që sektori privat dhe bizneset të zhvillohen, duhet të krijohen burime të reja, më gjithëpërfshirëse të financimit.