Qendra e Arbitrazhit në Kosovë shënon një dekadë; vërehet rritje e numrit të rasteve në qendrën e arbitrazhit

Prishtinë, 7 Dhjetor 2021– Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Programi i Drejtësisë Komerciale të USAID organizuan ngjarjen ‘10 Vite të Arbitrazhit në Kosovë’. Për dhjetë vite, bizneset kosovare kanë pasur qasje në mekanizmat alternativ për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, të ofruara nga dy institucione në Kosovë, duke përfshirë edhe Odën Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Në fjalën e tij hyrëse, Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka theksoi rëndësinë e këtij momenti duke përmendur qendrën e arbitrazhit si formë alternative për zgjedhjen e kontesteve në mënyrë efikase.

Tutje, duke përmendur kronologjinë e funksionalizimit, sukseset dhe vështirësitë e qendrës së arbitrazhit ndër vite, ai tha që rastet që po arrijnë në qendrën e arbitrazhit po shënojnë rritje gjithnjë e më tepër.

Ndërsa, Christine Danton, Drejtoreshë në Zyrën për Demokraci dhe Qeverisje të USAID u shpreh që Kosova ka bërë progress të vazhdueshëm, përkundër faktit që është ende demokraci e re. Ajo shtoi që e mbështesin qendrën e arbitrazhit dhe që arbitrazhi forcon zbatimin e ligjit. Sipas saj, vërehet një trend pozitiv i rritjes së rasteve nga bizneset që kërkojnë zgjidhje të kontesteve në qendrën e arbitrazhit duke shtuar që në vitin 2019 ishin 17% e bizneseve që kërkonin zgjidhje të rasteve në qendrën e arbitrazhit, ndërsa në vitin 2021, kjo përqindje ka arritur në rritje në 35%.

Për fund, ajo inkurajoi barazinë gjinore në drejtësinë komerciale për të rritur besimin në insitucionet e drejtësisë në Kosovë.

Christopher Thompson, Udhëheqës i Programit, Programi për Drejtësi Komerciale i USAID përmendi përparësitë e qendrës së arbitrazhit duke theksuar procedurat të cilat janë më të thjeshta dhe të shpejta krahasuar me gjykatat ku rastet për zgjidhjen e kontesteve zgjasin me vite. Tutje, ai shtoi që arbitrat e përzgjedhur në qendrën e arbitrazhit janë ekspertë të fushës dhe qendra e arbitrazhit ka rregullat dhe administratën e saj.

Ndërkaq, Sokol Elmazaj, Partner, Boga&Associates, Kryesues i Qendrës së Arbitrazhit të Odës Amerikane, Këshilli Drejtues, duke ndarë rrugëtimin e qendrës së arbitrazhit përmendi trajnimet e arbitrave në vitet e para të operimit të qendrës së arbitrazhit, dhe që përkundër skepticizmit që ishte në vitet e para, gjërat kanë shkuar në rrugën e duhur. Tutje, ai përmendi kontributin e Odës Amerikane në promovimin e qendrës së arbitrazhit.

‘Shpejtësia, konfidencialiteti dhe fleksibiliteti i procedurave të zgjidhjes së kontesteve, janë përparësitë e qendrës së arbitrazhit krahasuar me gjykatat’ shtoi Elmazaj.

Ardi Shita, Avokat, Sekretari i parë i Përgjithshëm i Qendrës së Arbitrazhit të Odës Amerikane përmendi vështirësitë e fillimit dhe drejtësinë komerciale e cila deri në atë kohë ka qenë e panjohur për shoqërinë shqiptare.

‘Rregullat e procedurës së arbitrazhit janë prej më të mirave në Evropë, ku procedurat e zgjidhjes së kontesteve nuk zgasin gjatë sepse janë të shpejta dhe efikase’ shtoi ai.