Qeveria e re të fokusohet në rikuperimin paspandemik dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mirëpret krijimin e Qeverisë së re të Kosovës në një kohë kur vendi ka nevojë të jashtëzakonshme për avancimin e agjendës së reformave biznesore. Përballja me pasojat e pandemisë COVID19 në ekonomi si dhe një proces dinamik legjislativ duhet të jenë në maje të prioriteteve të Qeverisë së re të Republikës së Kosovës.

Aprovimi i një pakoje gjithëpërfshirëse të rimëkëmbjes ekonomike e cila duhet të jetë produkt i një procesi të dialogimit me të gjithë hisedarët e rëndësishëm në Kosovë duhet të jetë i një rëndësie të jashtëzakonshme. Pakoja duhet të ofrojë mbulesë proporcionale të dëmeve që janë shkaktuar në të gjithë sektorët pas shpërthimit të pandemisë COVID19, por në të njëjtën kohë të shërbejë edhe si kornizë për ristrukturimin e gjithëmbarshëm të ekonomisë së vendit.

Oda Amerikane përsërit qëndrimet e saj të mëhershme se programi i Qeverisë së re duhet të theksojë adresimin dhe zgjidhjen e çështjeve që lidhen me kapitalin njerëzor, respektivisht zvogëlimin e hendekut në boshllëkun e shkathtësive, funksionalizimin e shtetit të së drejtës, largimin e barrierave në lëvizjen e lirë të mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, si dhe reformimin e vazhdueshëm të mjedisit të të bërit biznes i cili do të ishte nxitës për investimet e jashtme dhe të brendshme.

Dialogu aktiv publiko-privat përmes mekanizmave ekzistuesë ose mekanizmave të ri duhet të mundësojë adresimin e vështirësive me të cilat ballafaqohen investitorët e huaj, si dhe ndërmarrjet e sektorit privat në përgjithësi.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë beson se vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet të gjithë hisedarëve politikë e jopolitikë, Kosova mund të përmbushë synimet e saj drejt një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik si dhe ofrimit të një perspektive më premtuese për qytetarët e saj.