Qeveria të bashkëpunojë me sektorin e gastronomisë para marrjes së vendimeve që afektojnë këtë sektor

Prishtinë, 12 gusht 2020 – Qeveria duhet të jetë në konsultim të ngushtë me komunitetin e biznesit para
marrjes së çfarëdo masave që kanë ndikim direkt në këto biznese. Kjo u tha mes të tjerash në takimin e
rregullt të komitetit të Gastronomisë dhe Turizmit të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.
Anëtarët e këtij komiteti vlerësojnë së është e domosdoshme të shpejtohet votimi dhe fillimi i aplikimit
të pakos së rimëkëmbjes ekonomike të propozuar nga Qeveria, sepse shumë biznese në këtë sektor
rrezikojnë të mbyllen, duke rezultuar kështu në humbje të mëdha të vendeve të punës. Ndërsa, sipas
tyre, një çështje tjetër me rëndësi për t’u trajtuar është edhe ajo mbi pasiguritë e mbarëvajtjes së punës
siç është caktuar deri më tani në ambiente të hapura pas muajit shtator, kur kushtet klimatike do të
pamundësojnë një gjë të tillë.
Komiteti i Odës Amerikane për Gastronomi dhe Turizëm thekson se është më se e nevojshme të
zbatohen vendimet për parandalimin e përhapjes së pandemisë dhe të rriten kapacitetet inspektuese,
dhe jo të aplikohen kufizime kolektive për të gjitha ndërmarrjet për shkak të moszbatimit të masave nga
një numër ndërmarrjesh. Për më tepër, anëtarët e këtij komiteti bëjnë thirrje edhe për heqje të masës
për kufizim të lëvizjes pas orës 22:30, e cila sipas tyre nuk është se ka dëshmuar të jetë efektive.
Ky komitet ka për qëllim adresimin e nevojave të sektorit të gastronomisë dhe turizmit si në periudhën
afatshkurtër, pra për fazën e rimëkëmbjes ekonomike pas shpërthimit të pandemisë COVID-19, ashtu
edhe në atë afatgjatë.