Qeverisja korporative ofron siguri më të madhe për investitorët

Prishtinë, 30 nëntor 2021-  Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi sot ngjarjen e radhës me temën ‘Punëtori mbi Qeverisjen Korporative në NVM dhe Bizneset Familjare’, ligjëruar nga Visar Dobroshi, Partner Menaxhues, Recura Financials.

Visar Dobroshi, Partner Menaxhues, Recura Financials u shpreh që kjo temë është e rëndësishme për bizneset, duke pasur parasysh gjithnjë e më shumë zgjerimin dhe zhvillimin e tyre në shtimin e numrit të punëtorëve duke theksuar faktin që qeverisja korporative është thelbësore për mbarëvajtjen e biznesit.

Sipas tij, aspekti i qeverisjes korporative dhe mënyra se si janë te udhëhequra bizneset e posaçërisht bizneset familjare po diskutohen çdoherë e më shumë. ‘Gjithnjë e më shumë është evidente që nga mënyra e paorganizuar e udhëheqjes së biznesit vijnë momente të vështira për biznesin dhe qendrueshmërinë e atij biznesi, dhe pikërisht atëherë bizneset kërkojnë ndihmë si t’i tejkalojnë ato vështirësi’ shtoi Dobroshi.

Tutje, ai tha që qeverisja korporative nënkupton procese që kanë të bëjë me udhëheqjen dhe gjithashtu marrëdhenien në mes bordit, pronarëve, aksionarëve, menaxherëve, dhe palëve të tjera, duke shtuar që qeverisja korporative është e rëndësishme për bizneset që janë në ortakëri, dhe bizneset ku hisedarë janë familjarët.

Sipas tij, kompanitë dhe bizneset duhet ta bëjnë me kohë ndarjen e funksoneve, pozitave te formalizuara me kontrata, dhe përshkrime e punës e të tjera për qeverisje të duhur brenda kompanisë.

Ai shtoi që bizneset duhet t’i kenë të definuara mirë pergjegjësitë, llogaridhënien, dhe transparencën per një qeverisje korporative të mirë, edhe nese kemi të bëjmë me biznese familjare. Tutje, ai përmendi arsyet e suksesit të kompanive e që janë të lidhura ngushtë me sistemet e brendshme të korrektësisë e transparencës. Sipas tij, këshilltarët e jashtëm janë ndihmë për këshillime nga ana e perspektivës së tyre nga jashtë dhe pa konflikt interesi në ato biznese.

Si një ndër përfitimet e qeverisjes korporative, ai përmendi investimet të cilat ndodhin shumë më shumë në kompanitë që janë të organizuara mirë. Sipas tij, vendimarrrja dhe autorizimi  janë dy aspekte shumë të rëndësishme ne strukturën menaxheriale të kompanisë.