Reformat në arsim janë shumë të rëndësishme për zvogëlimin e hendekut të shkathtësive

Prishtinë, 25 mars 2021 – Pavarësisht numrit të lartë të të regjistruarve në arsimin e lartë në Kosovë, shkalla e lartë e papunësisë tek të rinjët është një indikator që reflekton mospërputhje në mes të aftësive të ofruara në tregun e punës, dhe atyre të cilat kërkohen nga punëdhënësit. Çështje të ndryshme që kontribuojnë në këtë hendek, si dhe mundësitë për minimizimin e së njëjtit u diskutuan gjatë forumit të fundit virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, me një panel përfaqësuesish të arsimit të lartë në vend.

Ky forum u moderua nga Vildane Kelmendi, drejtoreshë e programit në shkollën e lartë profesionale Cacttus Education, e cila u shpreh se mungesa e shkathtësive tek të rinjtë e diplomuar zë një hapësirë të shtuar në diskursin publik, dhe në përgjithësi i referohet faktit se punëdhënësit në sektorin privat hasin në vështirësi për gjetjen e kuadros me shkathësitë e nevojshme për të kryer punë të natyrave të ndryshme në kompanitë e sektorit privat.

Në mes të pjesëtarëve të panelit për këtë diskutim ishte Lavon Bajrami, drejtor për pranim të studentëve dhe për bursa në universitetin amerikan RIT Kosovo, sipas të cilit problemi i hendekut të shkathtësive është një problem i shumëfishuar në Kosovë, për shkak të ekonomisë fragjile por dhe problemeve të tjera. Bajrami theksoi se në Kosovë kërkesat e industrive të ndryshme nuk janë në sinkronizim me aftësitë e fuqisë punëtore, por megjithatë, për këtë nuk duhet fajësuar institucionet e arsimit të lartë, meqë ky problem është shumë më i thellë. Duke folur mbi rezultatet dekurajuese të Kosovës në PISA, Bajrami tha se vendi ka nevojë për reforma të të gjitha niveleve të arsimit, meqë përvetësimi dhe zhvillimi i aftësive fillon shumë më herët se në arsimin e lartë.

Folës tjetër në këtë diskutim ishte edhe drejtori ekzekutiv i kolegjit Universum, Alejtin Berisha, i cili tha se pavarësisht disa avancimeve në aspektin e zvogëlimit të hendekut të shkathtësive, Kosova ende nuk ka arritur nivelet e dëshirueshme. Sipas Berishas, njëri nga problemet kyçe mbrapa kësaj është mungesa e financimit në arsim, meqë pjesëmarrja e shpenzimeve për arsim në raport me buxhetin e vendit është shumë e vogël, derisa ajo për kërkime shkencor është inekzistente. Pikë tjetër e rëndësishme e theksuar nga ai ishte edhe tranzicioni nga një sistem ku arsimi i lartë ka qenë privilegj, në një sistem të arsimit të lartë masovik dhe me kosto to përballueshme, gjë që sipas Berishas tregon se pritshmëritë nuk mund të jenë shumë të larta, marrë parasysh një ndryshim të këtij lloji.

Ndërsa, panelistja tjetër, Venera Llunji, zëvendës rektore për bashkëpunim dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Kolegjin AAB, potencoi se të gjitha nivelet e sistemit arsimor janë hallka të lidhura me njëra tjetrën dhe në një situatë të tillë nuk mund të fajësohet asnjë nivel specifikisht për hendekun e shkathtësive. Ajo nënvizoi situatën shqetësuese të arsimit në Kosovë, ku tha se i njëjti ka rënë drastikisht në çdo nivel, duke përmendur të ashtuquajturin analfabet funksional si një faktor shumë negativ, prezent në Kosovë. Sipas Llunjit, është mirë që të ketë bashkëpunim në mes të institucioneve të arsimit dhe bizneseve, në mënyrë që të identifikohen kërkesat e tregut dhe të krijohen programet arsimore që përputhen me të njëjtën.