Regjistrimi i markës tregtare siguron mbrojtje ligjore për biznese

Prishtinë, 13 prill, 2023 – E drejta e pronës intelektuale dhe ajo e autorësisë si shtylla mjaftë të rëndësishme për veprimtaritë e bizneseve në tregun vendor dhe jashtë tij, ishin temat kryesore të diskutimit të zhvilluar gjatë një forumi të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me Agjencinë për Pronësi Industriale.

Kujtesa Nezaj-Shehu, avokate në SDP Kosova dhe njëherit moderuese e këtij forumi gjatë diskutimit theksoi rëndësinë e regjistrimit të markave tregtare, të cilat lehtësojnë veprimtarinë e bizneseve apo individit që posedon pronë intelektuale. Ajo gjithashtu tha se e njëjta ofron edhe mbrojtje ligjore ndaj konkurrencës në treg duke siguruar se prona intelektuale apo marka tregtare nuk mund të përdoret nga dikush tjetër pa autorizimin e duhur.

Isa Dukaj, Zëvendës Drejtor i Agjencisë për Pronësi Industriale gjatë diskutimit tha se marka tregtare si një shenjë dalluese u shërben bizneseve në identifikimin e mallrave apo shërbimeve që ofrojnë, duke shtuar se përmes regjistrimit të kësaj marke, pronari gëzon të drejtën ekskluzive të përdorimit, mbrojtje të zbatuar nga gjykata si dhe pengimin e falsifikimit dhe tregtimit të produkteve të mbrojtura.  Ai gjithashtu tha se kompanitë të cilat kanë markë tregtare, mund të aplikojnë për mbrojtjen e së njëjtës edhe në shtetet e tjera të rajonit, dhe ndërkombëtarisht. Në fund, Dukaj këshilloi të gjithë bizneset që përveç krijimit të identitetit të tyre unik në treg,  të regjistrojnë dhe përditësojnë para ligjit markat e tyre tregtare, në mënyrë që të sigurohet vazhdimësia e tyre, dhe gëzimi i plotë i të drejtave të siguruara nga kjo markë.

Zjarrta Osmani, Zëvendës Drejtore e Zyrës për të Drejtat e Autorit tha se e drejta e pronës intelektuale ka ndikime pozitive jo vetëm në mbarëvajtjen e veprimtarisë së individëve në sektorin e argëtimit dhe atij letrar, por edhe në ekonomi dhe sundim të ligjit. Ajo ceku se të drejtat e përafërta të autorit përfshijnë të drejtën ekonomike që përcakton kompensimin, e drejtë kjo e cila mund të bartet, si dhe të drejtat morale. Tutje, Osmani theksoi rëndësinë e ngritjes së vetëdijesimit të të gjithë krijuesve të pronës intelektuale se e njëjta mbrohet me ligj se dhe duhet të ndritët besimi karshi organeve relevante që përcaktojnë zbatimin e të drejtave të autorit.