Rekomandimet nga forumi mbi të drejtat e pronësisë intelektuale

Prishtinë, 23 qershor 2017 – Pavarësisht përafrimit të legjislacionit të Kosovës me legjislacionin e Bashkimit Evropian në fushën e mbrojtjes së të drejtës së pronësisë intelektuale, kërkohet një koordinim më i mirë ndërinstitucional, i cili do të mundësonte zbatim më të efektshëm të legjislacionit përkatës. Ky rekomandim që është edhe rekomandim i Komisionit Evropian, doli si konkluzion kryesor nga forumi “Mbrojtja e të drejtave të pronësisë intelektuale, organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë” me pjesëmarrësit e Shkollës për Thellimin e Njohurive mbi Bashkimin Evropian, në kuadër të projektit “Rruga e Kosovës drejt Integrimit Evropian”, të mbështetur nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur.

Duke pasur parasysh shqetësimet e shprehura përkitazi me zbatueshmërinë jo të duhur të mbrojtjes së të drejtës intelektuale, institucioneve vendore, përgjegjëse për luftimin e piraterisë u rekomandohet të krijojnë një mekanizëm konkret për raportimin e rasteve të shkeljeve të të drejtës  intelektuale ose industriale, duke mundësuar kështu që edhe qytetarët të përfshihen në procesin e luftimit të piraterisë. Falsifikimi i produkteve paraqet rreziqe shëndetësore për vetë konsumatorët, për shkak se produktet e falsifikuara nuk u nënshtrohen kontrollave të cilësisë. Si e tillë, vetëdijësimi i publikut, respektivisht konsumatorëve përmes fushatave vetëdijësuese publike mediale, do të mundësonte rritjen e vetëdijësimit të shoqërisë për dëmet që burojnë nga produktet e falsifikuara. Poashtu, rekomandohet që të punohet më tutje në ngritjen e kapaciteteve të inspektoriatit të tregut për të identifikuar dhe kontrolluar shkeljet në tregun e brendshëm si dhe të zbatohen sanksione ndaj shkelësve të të drejtës pronësore intelektuale (prodhimit/shitjes së produkteve të kopjuara, të falsifikuara).

Këto veprime në luftimin e piraterisë do të pengonin veprimtaritë e jashtëligjshme, do të zvogëlonin ekonominë joformale dhe evasionin fiskal dhe në të njejtën kohë do të mundësonin një konkurrencë të barabartë, duke bërë kështu vendin atraktiv edhe para investitorëve të huaj.

Të pranishmit në forum përfaqësonin institucionet si Ministria e Tregtisë dhe Industrisë; Ministria e Financave; Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve; Administrata Tatimore e Kosovës; Ministria e Integrimit Evropian dhe Dogana e Kosovës.