Rekomandohen forma të tjera alternative për financimin e bizneseve

Prishtinë, 15 nëntor 2021- Si pjesë përmbyllëse e Javës Globale të Ndërmarrësisë në mesin e njëzet e tre aktiviteteve të organizuara nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, nxitja e idesë – financimi i ndërrmarrësve, ka qenë tema për të cilën u diskutua në këtë forum.

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë Arian Zeka theksoi rëndësinë e financave në mbështetjen e ndërmarrësve për të arritur sukses. Ai pohoi se ideja e biznesit është ajo që ka rëndësi, por edhe komponenti financiar luan rol të ngjashëm.

Artan Sadiku, Zëvendësdrejtor në bankën BPB tha se objektivi i kësaj banke është të mbështesë bizneset e vogla dhe synojnë të ofrojnë shërbime financiare dhe jofinanciare. Ai tha se kjo bankë do të ofrojë trajnime për të mbështetur ndërmarrësit në avancimin e biznesit të tyre, planifikimin strategjik, marketingun dhe mungesën e përvojës. Tutje, ai deklaroi se në fokus të bankës janë gratë dhe ndërmarrësit e rinj.

Koordinatorja Parimore Rajonale e BERZH, Leonora Kusari deklaroi faktin se startup-et kanë nevojë për mbështetje financiare sepse kryesisht financojnë vetë bizneset, komunitetin ose përmes granteve. Ajo përmendi se Kosova ka potencial të madh dhe po planifikohet që të bëhet një crowdfunding edhe në Kosovë. Kusari rekomandoi edhe testimin e tregut dhe krijimin e një infrastrukture në mënyrë që të rinjtë të sjellin ide më inovative dhe kreative.

Driton Dalipi, partner menaxhues në MDA pohoi se një bashkëpunim ndërmjet sistemit arsimor, dhe ministrisë që mbështet ndërmarrësit e rinj dhe komunat do të krijonte një ekosistem më të mirë.

Erëza Gjikolli, mbikëqyrëse e Zhvillimit të Programit, Zyra Qendrore, banka TEB, përmendi mbështetjen e bankës për startup-et e grave. Sipas saj, ka mungesë informacioni për nëdrmarrësit të cilët synojnë të hapin një biznes dhe se duhet të përshtaten ato me nevojat e tregut.