Roli i USAID në promovimin e fuqizimit të grave në fushat e tyre të ekspertizës

Prishtinë, 22 mars 2022 – Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një tryezë të rrumbullakët me Drejtoreshën e Misionit të USAID në Kosovë, Zeinah Salahi dhe Komitetin e Grave Lidere të Odës Amerikane për të diskutuar rreth rolit të USAID në mbështetjen e fuqizimit të grave në fushat e tyre të ekspertizës.

Zeinah Salahi, Drejtoreshë e Misionit të USAID në Kosovë, tha se pjesë e fuqisë së grave është ekspertiza dhe vlera e shtuar që ato sjellin në fushën e tyre profesionale. Më tej, ajo shtoi se vëmendja duhet të jetë tek ekspertiza që gratë sjellin në tavolinë, si profesioniste, dhe të mos jetë fokusi tek gjinia. Salahi shtoj se qëllimi është që të ndihmohen të gjithë të shkëlqejnë në fushën e tyre të ekspertizës, dhe si rezultat diskutimi ndryshon dhe narrativa pasurohet.

Gratë lidere të pranishme në këtë tryezë diskutuan mbi mënyrat se si mund të ndihmojnë brezin e ri të grave të ketë sukses dhe të shkëlqejë. Ato theksuan rëndësinë e modeleve dhe udhëzimeve gjatë zgjedhjes së profesioneve të dominuara nga burrat.