Rritja e kapaciteteve dhe zhvillimit të biznesit, pikë kyçe për financime nga IFN

 Prishtinë, 17 Janar, 2023 – Institucionet Ndërkombëtare Financiare janë një ndër operatorët kyç që kontribuojnë në zhvillimin e bizneseve duke ofruar, përveç financimit përmes instrumenteve financiare, edhe këshillime dhe mbështetje të bizneseve. Mënyrat se si bizneset mund të përfitojnë nga këto institucione ishin tema kryesore në forumin e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Eksperti financiar Ramis Ahmetaj, njëherit edhe moderator i forumit tha se përveç rolit të financimit, këto institucione kanë edhe rol zhvillimor duke iu ndihmuar bizneseve që përveç fondeve të zhvillohen në mënyrë të mirëfilltë. Ai theksoi se megjithëse është parë një trend zhvillimi tek bizneset kosovare, vërehen edhe mangësi në aspektin analitik, parashikimet ekonomike dhe analizat e riskut. Ahmetaj poashtu theksoi nevojën për ngritje të kapaciteteve të bizneseve dhe nivelit të zhvillimit brenda biznesit por edhe në bashkëpunim me institucione financiare.

Leonora Kusari nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) tha se kjo bankë, përveç financimit e subvencionimeve, ofron edhe programe këshillimi për biznese ndërsa përmendi programet e BERZH-it  të cilat operojnë në sektorin privat, përkatësisht në industrinë e teknologjisë dhe atë të energjisë. Tutje, ajo ndau se kjo bankë që nga Dhjetori ka lansuar “Expansion Fund” që mbështetë zgjerimin e bizneseve edhe në regjione të tjera, si dhe Planin e Vazhdueshmërisë. Kusari gjithashtu tha se gjatë vitit të kaluar, 70% e financimeve nga kjo bankë janë bërë në sektorin privat, ndërsa i njëjti trend është i paraparë të vazhdojë brenda strategjisë së tyre për pesë vitet e ardhshme.

Visar Perani nga Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC) tha se institucioni që ai përfaqëson, ka procedura mjaftë të lehta për aplikim të bizneseve ndërsa përveq financimit ka gjithashtu rol të madh në përmirësimin e të bërit biznes përmes benefiteve që ofron, siç janë këshillimet financiare. Perani shtoi se për bashkëpunim me institucione financiare, është e rëndësishme që bizneset të kenë një strukturë të mirë menaxhimi dhe të mbarëvajtjes së biznesit, të punësuar adekuat, dhe menaxhim të mirëfilltë të fondeve.

Gjatë këtij forumi anëtarët e Odës Amerikane patën mundësinë të njoftohen më detajisht rreth procedurave dhe mundësive të financimit nga institucionet financiare ndërkombëtare, si mënyrë për fuqizim dhe zhvillim të bizneseve të tyre.