Sektori farmaceutik kërkon zvogëlimin e procedurave burokratike për regjistrim të produkteve medicinale

Prishtinë, 18 mars 2021 – Sektori farmaceutik në Kosovë, si njëri ndër sektorët kyç për mirëqenien e përgjithshme, përballet me sfida të ndryshme. Ndër më shqetësueset nga këto sfida konsiderohen kontrabanda me mallra farmaceutike, procedurat burokratike për regjistrim të produkteve, si dhe çmimet e larta të të njëjtëve, në mes të tjerash. Këto u thanë në forumin e fundit virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, në të cilin u diskutua mbi rregullimin e sektorit farmaceutik, me një panel ekspertësh nga ky sektor.

Armend Agani, drejtor në kompaninë Agani si dhe kryesues i komitetit të Odës Amerikane për Kujdes Shëndetësor, njëherit edhe moderator i këtij forumi, tha se duke i marrë parasysh problemet e mëdha të sektorit farmaceutik të Kosovës, është shumë e rëndësishme të diskutohen sa më shpesh problemet më kyçe dhe urgjente, si dhe mundësitë për zgjidhjen e të njëjtave.

Arianit Jakupi, kryetar i Odës së Farmacistëve të Kosovës, theksoi se sektori farmaceutik në Kosovë karakterizohet me një punë e cila sidomos gjatë vitit të fundit ka treguar rëndësi të jashtëzakonshme, duke qenë një nga shtyllat kryesore të menaxhimit të pandemisë. Ai tha se njëri nga shqetësimet më të mëdha të këtij sektori mbetet kontrabandimi i barnave, si çështje që duhet të zgjidhet me urgjencë. Sipas Jakupit, mbetet ende shumë punë për t’u bërë për një sektor farmaceutik të konsoliduar, dhe zbatimit të plotë të praktikave të mira të sektorit farmaceutik në tërë zingjirin e tij.

Milaim Abdullahu, kryeshef ekzekutiv në kompaninë Santefarm, si dhe përfaqësues i Shoqatës së Distributorëve Farmaceutikë të Kosovës, u shpreh se marrë parasysh tregun e vogël të Kosovës, nuk ka shumë prodhues të interesuar të regjistrojnë produktet e tyre në vend.  Sipas tij, taksat e larta si dhe procedurat burokratike janë dekurajuese edhe për ata të cilët janë të interesuar, prandaj  duhet të punohet në thjeshtëzimin e të njëjtave.  Tutje, ai foli edhe mbi procedurat e regjistrimit të barnave, si dhe përmendi nevojën për rregullim të plotësimit të mungesës së produkteve në treg.

Milot Cena, menaxher për zhvillim të biznesit në kompaninë Asgeto, foli mbi standardizimin e kushteve të operimit të distributorëve farmaceutik, ku theksoi se në Kosovë ka mbi 20 depo të licencuara, ndërsa në shtetet tjera me popullsi më të madhe zakonisht ekziston numër shumë më i vogël i depove. Sipas Cenas, është e domosdoshme të krijohet një ligj i veçantë për farmaci, i cili është diskutuar qe shumë kohë nga ky sektor, derisa i njëjti do të bashkërendonte dhe rregullonte më së miri sektorin.

Ahmet Hoxha, farmacist në kompaninë Trepharm, e cila njëherit është edhe kompani prodhuese e barnave në Kosovë, theksoi se si prodhues vendor nuk gëzojnë kushtet më të favorshme, e madje edhe ballafaqohen me procedura edhe më sfiduese në krahasim me kompanitë importuese. Sipas Hoxhas, një problem kryesor ka të bëjë me aspektin e banderolave, të cilat për prodhuesit vendor duhet të lëshohen përmes një komisioni, derisa importuesit mund t’i marrin brenda ditës përmes aplikimit online. Ai tha se sa i përket rregullimit të tregut, vendet e rajonit do të duhej të merreshin shembull sa i përket regjistrimit dhe kontrollimit të produkteve.