Sfidat e gjyqësorit ndikojnë negativisht në zgjidhjen efikase të kontesteve të bizneseve

Prishtinë, 16 shkurt 2021 – Vështirësitë e ndryshme në funksionimin e gjykatave padyshim se luajnë rol në performancën e të njëjtave, si rrjedhojë duke krijuar sfida edhe për palët në zgjidhje të kontesteve përkatëse, e me theks të veçantë të atyre komerciale. Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), nuk është kursyer për të mbështetur zhvillimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë, prandaj, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me Programin e USAID për Drejtësi Komerciale, organizuan një forum virtual ku me përfaqësues të projekteve të kësaj organizate u diskutua lidhur me performancën e gjykatave dhe arbitrazhit.

Gjatë këtij forumi, Tea Blakaj Hoxha, sekretare e përgjithshme e Qendrës së Arbitrazhit të Odës Amerikane, njëherit edhe moderatore e diskutimit, theksoi se marrë parasysh investimet e shumta të USAID në projekte të ndryshme që kanë të bëjnë me sistemin e drejtësisë në përgjithësi por edhe drejtësisë komerciale në veçanti, është shumë e rëndësishme të dëgjohet për pritshmëritë e kësaj organizate për të ardhmen e drejtësisë në Kosovë.

Vjosa Shkodra, zëvendës drejtoreshë e programit të USAID për Drejtësi Komerciale theksoi se një ndër objektivat kryesore të këtij programi është ngritja e kapacitetit të zhvillimit të kontesteve komerciale brenda Gjykatës Themelore. Me këtë rast, sipas Shkodras, pas analizimit të kujdesshëm të performancës së të njëjtës në departamentin e çështjeve ekonomike, duke përfshirë menaxhimin e rasteve, vendimmarrjen, angazhimin e gjyqtarëve dhe stafit mbështetës, është vlerësuar se sistemi i drejtësisë në vend ka nevojë imediate për krijimin e një gjykate komerciale. Kjo e fundit do të ishte një adresë e vetme për kërkesat e bizneseve dhe investitorëve të huaj, tha Shkodra. Tutje, ajo i cilësoi vonesën e lëndëve, mungesën e ekspertizës, numrin e paktë të gjyqtarëve dhe bashkëpunëtorëve profesionalë si probleme kryesore me të cilat ballafaqohet kjo gjykatë.

Artan Hadri, specialist i performancës së Gjykatave në programin e USAID për Drejtësi në Kosovë, u shpreh se performanca e gjykatave sidomos në këtë kohë është dukshëm më e ulët, për shkak të ndikimit të pandemisë. Hadri tha se USAID për një kohë të gjatë është duke e mbështetur sistemin e drejtësisë në Kosovë si në formë direkte ashtu edhe përmes kapaciteteve njerëzore, ndërsa ka qenë shumë aktiv edhe në përkrahjen dhe promovimin e metodave alternative për zgjidhje të kontesteve. Sipas Hadrit, aktualisht të gjitha gjykatat dhe departamentet kanë nevojë për përfshirje të më shumë ekspertëve dhe bashkëpunëtorëve profesional, si dhe përkrahje me staf administrativ. Megjithatë, ai e vlerësoi realizimin e një objektive të tillë gjatë këtij viti si sfidë, për shkak të buxhetit të përgjysmuar si pasojë e përballjes me pandeminë.

Pjesë e këtij diskutimi ishin edhe përfaqësues të bizneseve anëtare të Odës Amerikane, të cilët bashkë me panelin diskutuan mbi njohjen dhe ekzekutimin e vendimeve të arbitrazhit nga gjykatat në ndonjë vend tjetër, mosefikasitetin e gjykatave dhe ndikimin e tyre në aktivitetet e biznesit, dhe përdorimin e arbitrazhit në përgjithësi, mes të tjerash.