Sigurimi i furnizimit me energji si faktor i rëndësishëm i sigurisë publike dhe zhvillimit ekonomik

Prishtinë, 8 qershor, 2022 – Tema e radhës që u trajtua në serinë e ngjarjeve të organizuara nga Oda Amerikane me qëllim për të adresuar sfidat që e presin ekonominë e Kosovës, ishte Siguria e Furnizimit të Energjisë.  Në këtë diskutim u përmendën sfidat e furnizimit me energji gjatë muajve të ardhshëm, si dhe mënyrat alternative se si Kosova mund të furnizohet me energji.

Learta Hollaj, Këshilltare Kryesore për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe Partneritet të Presidentes të Republikës së Kosovës, tha se është e rëndësishme të kuptojmë ndërlidhjen mes sektorit të energjisë dhe zhvillimit ekonomik dhe se diskutimet rreth kësaj teme duhet të jenë të hapura dhe gjithëpërfshirëse. Me tutje, ajo theksoi se fokusi kryesor i qeverisë dhe i çdo politikë bërësi duhet të jetë diversifikimi i portofolios së energjisë.

Profesori i Universitetit të Prishtinës, Arben Xhukaj tha se siguria e energjisë është faktori kryesor n` një sistem energjetik. Ai gjithashtu tha se çështja e furnizimit në Kosovë është njëkohësisht çështje politike dhe teknike dhe se furnizimi i qëndrueshëm me energjinë është i rëndësishëm edhe për sigurinë publike.

Kryesuesi i Komitetit të Prodhuesve të Odës Amerikane, Gojart Kelmendi nga kompania Euro Kosova, tha se siguria e energjisë paraqet një sfidë të madhe për prodhuesit në Kosovë, prandaj adresimi i këtyre çështjeve është tejet i rëndësishëm edhe për sektorin privat.