Sinjalizimi ndihmon në rritjen e efikasitetit të punës së bizneseve

Prishtinë, 4 nëntor 2020 – Sinjalizimi, si akt informues ndaj shkeljeve të ligjit brenda institucioneve publike dhe kompanive private, është një proces që siguron zhvillimin dhe përmirësimin e integritetit dhe etikës së kompanive si dhe interesin publik në përgjithësi, prandaj i njëjti është tejet i rëndësishëm. Kjo u tha ndër të tjera, gjatë forumit virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe lëvizja FOL, me qëllim të informimit të bizneseve të sektorit privat rreth ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve.

Erblin Hoxha, konsulent për menaxhimin e projekteve në Lëvizjen FOL, njëherit edhe moderator i ngjarjes, theksoi se Ligji për Mbrojtjen e Sinjalizuesve mund të përmirësojë proceset e punës së bizneseve, derisa shtoi se është shumë e rëndësishme të kuptohet drejtë koncepti i sinjalizimit, ashtu që të hapet rruga për implementimin e duhur të këtij ligji brenda vendit.

Yllka Buzhala, hulumtuese në Lëvizjen FOL, ndau me pjesëmarrësit disa nga dispozitat e këtij ligji të ndërlidhura me sektorin privat, duke shtuar se qëllimi i të njëjtit është mundësimi i sinjalizimit të praktikave të dëmshme, por edhe mbrojtja e sinjalizuesve si dhe ruajtja e konfidencialitetit të tyre. Tutje, ajo shtoi se sinjalizimet nuk bëhen për interesa personale, por të njëjtat i shërbejnë kompanisë drejt përmirësimit të strukturave të punës. Për fund, Buzhala dha rekomandime rreth implementimit të duhur të këtij ligji, ku ndër të tjera veçoi nevojën për caktimin e një personi përgjegjës për trajtimin e rasteve të sinjalizimit në kompanitë private me mbi 50 punëtorë.

Tea Blakaj – Hoxhaj, sekretare e përgjithshme e Qendrës së Arbitrazhit në Odën Amerikane, theksoi se vetëm dhjetë shtete të Bashkimit Evropian kanë ligj të veçantë për sinjalizim, dhe sipas saj, për Kosovën ky ligj është një avantazh në trajtimin e çështjeve të kësaj natyre. Ajo u fokusua në aspektin e perceptimit të gabuar të sinjalizuesve si spiun të kompanive, me ç’rast potencoi se sinjalizimi në radhë të parë u ndihmon bizneseve të ruajnë integritetin dhe etikën si dhe etablimin e natyrës së komunikimit brenda kompanisë, gjë që rrjedhimisht shërben për rritjen e efikasitetit në punë. Sipas Blakaj-Hoxha, është kruciale që opinioni publik të kuptojë thelbin e procesit të sinjalizimit, ku rekomandoi ngritjen e kampanjave informuese rreth kësaj çështjeje nga Ministria e Drejtësisë, por edhe akterët e tjerë relevant.

Abdylkerim Ratkoceri, drejtor i burimeve njerëzore dhe administratës në korporatën Meridian, duke u ndërlidhur me rëndësinë e këtij ligji, theksoi se komunikimi i brendshëm mes departamenteve të kompanisë për të definuar mënyrat e trajtimit të rasteve të sinjalizimit si dhe mbrojtjes së sinjalizuesve nga ndonjë masë e mundshme ndëshkimore është tejet i rëndësishëm. Duke iu referuar situatës së shkaktuar nga pandemia COVID-19, Ratkoceri tha se sinjalizimi ka qenë një ndihmë e madhe në evitimin e shkeljeve të të drejtave shëndetësore, ndërsa shtoi se me përmirësimin e kësaj situate, ky ligj do të jetë në fokus të edhe më shumë bizneseve.