Prishtinë, 23 mars 2021 – Përmes procesit të sinjalizimit, të punësuarit qoftë në sektorin publik apo atë privat gëzojnë të drejtën e raportimit të informacioneve për cenim të interesit publik. Një proces i tillë është shumë i rëndësishëm për identifikimin dhe parandalimin e rasteve të korrupsionit, derisa sinjalizuesit janë të mbrojtur përmes Ligjit për Mbrotjen e Sinjalizuesve. Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, në forumin e radhës virtual diskutoi mbi përdorimin e këtij mekanizmi në luftën ndaj korrupsionit, me panelistë përfaqësues nga Agjencia Kosovare kundër Korrupsion (AKK), e cila në kuadër të Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve ka obligime të ndryshme lidhur me këtë proces, si dhe Lëvizja FOL, e cila ka qenë shumë aktive në monitorimin e zbatimit të këtij ligji.
Ky forum u moderua nga avokati Kushtrim Palushi, partner në shoqërinë e avokatëve RPHS Law, i cili, derisa prezantoi temën dhe panelistët tha se ligji aktual për mbrotjen e sinjalizuesve është shumë më i avancuar në krahasim me ligjin paraprak, dhe i njëjti është në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Evropës dhe politikat ndërkombëtare për mbrojtje të sinjalizuesve.
Folës në këtë panel ishte drejtori i Departamentit për Luftimin e Korrupsionit brenda Agjencisë kundër Korrupsionit, Blerim Kelmendi, i cili tha se kjo agjenci është përcaktuar si një organ i drejtpërdrejtë përgjegjës për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, si dhe spjegoi veprimet që ky institucion i ka marrë për të siguruar zbatimin e të njëjtit. Kelmendi theksoi se AKK posedon tre detyra kryesore që burojnë nga ky ligj, të cilat kanë të bëjnë me aspektet e zbatimit të sinjalizimit të jashtëm për sektorin publik, krijimin e kërkesës për inicim të procedurës së kundërvajtjes në rast të shkeljeve të ligjit në fjalë nga zyrtarët dhe institucionet përgjegjëse, si dhe pranimin e raporteve të sinjalizimit nga institucionet publike dhe private. Gjatë këtij diskutimi, Kelmendi e konsideroi shumë të rëndësishme çështjen e besimit në raportin sinjalizues me zyrtar përgjegjës, veçanërisht në sektorin publik.
Ndërsa, për një perspektivë nga shoqëria civile, Mexhide Demolli, drejtoreshë e lëvizjes FOL, organizatë kjo e cila është angazhuar shumë në avokim për zbatim sa më të madh të këtij ligji, konsideroi se pavarësisht se ligji është i avancuar, ekziston një mungesë e theksuar e zbatimit të tij, qoftë në sektorin publik apo në atë privat. Demolli u shpreh se ligji aktual mundëson tre lloje të sinjalizimit, atë të brendshëm, pra, brenda organizatës, atë të jashtëm, që nënkupton sinjalizim në AKK për sektorin publik, dhe në Inspektoratin e Punës për sektorin privat, si dhe sinjalizimin publik, i cili mund të bëhet përmes mediave apo OJQ-ve. Sipas Demollit, duke marrë parasysh shembujt nga vendet e tjera, sinjalizimi është dëshmuar të jetë një ndër mënyrat më efektive në luftimin e korrupsionit.
Gjatë këtij forumi u diskutua edhe mbi çështjet si mungesa e publikimit të listës së zyrtarëve përgjegjës për sinjalizim në institucionet publike, çështja e përcaktimit të numrin e zyrtarëve përgjegjës për këtë proces brenda një institucioni, si dhe mënyrat e raportimit të sinjalizimit. Panelistët gjithashtu konsideruan se roli i sinjalizuesve është i jashtëzakonshëm në luftën kundër korrupsionit, sepse identifikimi dhe ndalimi i të njëjtit bëhet më së lehti kur raportohet nga brenda.