Sistemet arsimore duhet të përshtaten me nevojat e tregut të punës

Prishtinë, 17 nëntor 2020 – Sistemet dhe kurrikulat arsimore janë të ndërlidhura ngushtë me tregun e punës dhe kanë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin dhe avancimin e kahjes ekonomike të shtetit, prandaj të njëjtat duhet të përditësohen rregullisht. Kjo u tha mes të tjerash gjatë një forumi virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, gjatë së cilës u trajtua edhe ndryshimi i kërkesave të punëdhënësve si rrjedhojë e pandemisë. Ky forum virtual u organizua në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë, e cila në Kosovë organizohet nën udhëheqjen e Qendrës së Inovacionit të Kosovës (ICK).

Shkumbin Ibraimi, kryeshef ekzekutiv në kompaninë Mercurius Consulting si dhe moderator i forumit, foli për objektivat kryesore të arsimit ku në veçanti theksoi ofrimin e aftësive të nevojshme për depërtim në tregun e punës, derisa shtoi se misioni i shkollimit në Kosovë, merr rëndësi më të madhe duke marrë parasysh ekonominë që gëzojmë sot, që është e orientuar nga inovacioni.

Agron Bajraktari kryetar i këshillit drejtues të Autoritetit Kombëtar të Kualifikimeve theksoi se koordinimi i arsimimit me tregun e punës ka rëndësi si dhe impakt të madh për suksesin e përbashkët si të mësimdhënësve, ashtu edhe të ndërmarrësve të së ardhmes të cilët kanë nevojë të përfitojnë njohuritë e duhura për qasje në treg gjatë shkollimit por edhe përmes punëve praktike. Bajraktari tutje shtoi se ndërlidhja e mirëfilltë mes arsimit dhe tregut, rrit nivelin e punësimit të studentëve në fushat për të cilat ata janë përgatitur.

Greta Kamberi specialiste e rekrutimit në kompaninë Gjirafa potencoi se përshtatja e kërkesave të tregut me përgatitjen e studentëve gjatë viteve akademike përveç se është e nevojshme gjithashtu lehtëson punën e bizneseve si rrjedhojë e lehtësimit të procesit të gjetjes së talenteve të duhur për kompanitë. Duke folur nga aspekti i punëdhënësit, Kamberi tha se bashkëpunimet me universitete janë mjaft të frytshme në gjetjen e talenteve marrë parasysh se tregu i punës në Kosovë është i përmasave të vogla. Tutje ajo shtoi se ky proces varet jo vetëm nga kurrikulat universitare por edhe nga dëshira personale e individit për avancim dhe përgatitje gjatë shkollimit.