Prishtinë, 21 nëntor 2019 – Në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë, Oda Amerikane në bashkëpunim me universitetin RIT Kosovo, organizoi ngjarjen “Nxitja e Ndërmarrësisë përmes Edukimit” ku Ardian Hoxha, si ndërmarrës shumë i suksesshëm, ndau me studentët e RIT Kosovo ndikimin e edukimit në rrugëtimin e tij si ndërmarrës.
Hoxha i motivoi studentët me rrëfimin e tij, duke u fokusuar në faktin se suksesi është i arritshëm për çdo person që beson se mund të ia dalë, natyrisht duke i caktuar objektivat dhe duke punuar shumë për të i arritur ato. Sipas tij, çdo person e ndjek të njejtin rrugëtim drejt suksesit, pavarësisht profesionit që ai zgjedh dhe në thelb gjithçka është e lehtë, ndërsa gjërat komplikohen vetëm kur nuk i kemi informacionet e duhura apo njohurinë e nevojshme. Në këtë aspekt është i domosdoshëm edukimi i mirëfilltë, qoftë nga institucionet apo nga eksperienca.
Ai i inkurajoi studentët që të fillojnë përfshirjen në punë, qoftë ajo edhe vullnetare, pasi në këtë mënyrë ata do të fitojnë sa më shumë njohuri mbi tregun e punës dhe do të rrisin aftësitë e tyre profesionale. Ardian Hoxha potencoi se studentët nuk duhet ta limitojnë veten për shkak të moshës, sepse nuk ka diçka të tillë si shumë herët apo shumë vonë për të qenë i suksesshëm. Ndërsa, në bashkëbisedim me studentët, ai mori pyetje në lidhje me menaxhimin e kohës, ndikimin e prejardhjes ekonomike dhe sociale për të qenë i suksesshëm, si dhe dështimet që ai i ka pasur dhe çfarë ka mësuar nga ato.