Prishtinë, 14 nëntor, 2018 – Në vazhdën e aktiviteteve të shumta të cilat po organizohen në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë, nxënësit e Shkollës Profesionale “Adem Gllavica” në Lipjan ishin ndalesa e radhës ku u diskutua mbi sfidat dhe rolin e ndërmarrësisë në Kosovë.
Në bashkëpunim me Agjencinë e Zhvillimit Rajonal Qendër (RDA-C), Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një ligjëratë për nxënësit e kësaj shkolle të cilët patën mundësi që të dëgjojnë rrëfimin personal të biznesit të Kujtim Gjevorit, pronar i prodhuesit të produkteve të plastikës “SCAMPA” foli për vështirësitë me të cilat është ballafaquar ai dhe prodhuesit e tjerë në Kosovë, por që pavarësisht tyre, ai do t’i rekomandonte të rinjtë që të orientohen vetëm në ndërmarrësi, meqë ky është sektori ku ata mund të bëjnë gjëra të mëdha për vetën dhe të tjerët.
Ndërsa, Mrika Gashi nga ARDA u tha nxënësve të pranishëm se ata mund të llogarisin edhe në përkrahje financiare për idetë potenciale të biznesit që ata mund të kenë, derisa Arian Zeka u bëri thirrje të rinjve që të besojnë në mundësitë që ofron Kosova dhe të mos e shohin perspektivën e vetme largimin nga vendi.
Java Globale e Ndërmarrësisë në Kosovë organizohet nën udhëheqjen e Innovation Centre Kosovo ndërsa aktivitete në kuadër të kësaj jave organizohen në 170 shtete të tjera të botës.