Prishtinë, 10 nëntor 2021– Dështimi dhe rruga drejt suksesit u diskutuan në forumin e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, me hisedarë nga sektori privat.
Jeta Zagragja, drejtoreshë e operacioneve biznesore në kompaninë UCX tha se gjatë rrugëtimit të saj profesional është ballafaquar me probleme dhe sfida të shumta, dhe se dështimi në ndërmarrësi është i pashmangshëm, duke e konsideruar edhe si pjesë integrale të suksesit. Zagragja tha se secila përvojë ndihmon në jetën profesionale dhe në atë personale, por me pjekuri dhe eksperiencë këto neutralizohen. ‘Marrja e risqeve në ndërmarrësi shpesh rezulton edhe në dështime’, theksoi ajo.
Gëzim Avdiu, bashkë-themelues dhe pronar i kompanisë Pixels tha se të rinjtë duhet t’i përcjellin trendet dhe t’i kombinojnë ato me entuziazmin dhe kreativitetin që të arrijnë suksese edhe në tregun jashtë. Ai tutje theksoi se duhet të zhvillohen trajnime që në të ardhmen të mos përballemi me mungesë të kuadrove profesionale.
Valon Canhasi, themelues i kompanisë Hallakate dhe njëherit edhe moderator i forumit theksoi rëndësinë e motivimit të individëve dhe nxitjen e tyre drejt një rruge me një të ardhme më të mirë.