Talenti në kompani, i rëndësishëm për ngritjen e performancës së organizatës në tërësi

Prishtinë, 22 shtator 2022 – Talenti është pa diskutim një komponent i rëndësishëm brenda një kompanie. Për të diskutuar më tutje se si të identifikohet talenti, e pastaj zhvillimi i tij brenda kompanisë, Oda Amerikane organizoi panelin e diskutimit “Identifikimi dhe Zhvillimi i Talentit”, aktivitetin e katërt në kuadër të Javës së Kapitalit Njerëzor.

Erald Pashaj, CEO i EPPC Albania & Kosovo, tha se rëndësia e talenteve brenda një organizate është në ndikimin pozitiv që ata kanë në performancën e pjesëtarëve të tjerë të organizatës. Ai shtoi se duke qenë që njëra prej karakteristikave të talenteve është gatishmëria dhe dëshira për të mësuar, zhvillimi i këtyre talenteve bëhet duke i sfiduar ata në vazhdimësi.

Maleta Mjeku, Specialiste e Kapitalit Njerëzor në PBC, tha se është e rëndësishme të krijohet një program i testimit që i identifikon talentet, në mënyrë që pastaj këto talente të zhvillohen me anë të trajnimit edhe së fundi të punësohen në pozita që siguron zhvillimin e tyre të vazhdueshëm.

Shkumbin Ibraimi, Partner Menaxhues dhe CEO i Mercurius Consulting, tha se në kohën e sotme ajo që po kërkohet më së shumti nga tregu i punës janë shkathtësitë dhe potenciali për t’u zhvilluar më tutje. Në vazhdim, ai theksoi se është e rëndësishme që zyrtarët e burimeve njerëzore të zhvillojnë metoda të vlerësimit që i nxjerrin në pah shkathtësitë e punëtorëve.

Dhurata Robaj, Menaxhere e Sektorit të Burimeve Njerëzore, Trajnimit dhe Zhvillimit në BPB, njëkohësisht edhe moderatore e panelit, theksoi rëndësinë e investimit në akademi brenda kompanisë, që i pajisin punëtorët me ato aftësi specifike të nevojshme për kompaninë.