Drenas, 21 nëntor 2019 – Komuna e Drenasit ishte destinacioni i rradhës për zhvillimin e aktiveteve të Odës Amerikane, në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë. Në tryezën e organizuar në bashkëpunim me Agjencionin për Zhvillim Rajonal – Qendër, dhe Komunën e Drenasit, të titulluar “Të bëhesh Ndërmarrës: Perspektivat e Vetëpunësimit”, ndërmarrësi Mërgim Prishtina ndau me të rinjtë e Drenasit historinë e krijimit të kompanisë TrePharm, duke theksuar se ka zgjedhur të investojë në industrinë farmaceutike, duke e parë si industri që mungon në vend. Ai i inkurajoi të rinjtë të guxojnë të ndërmarrin rrezikun për të zgjedhur një fushë specifike të paeksploruar, sepse e kanë potencialin të kontribuojnë në rritjen e ndërmarrësisë në Kosovë.
Drejtoresha Ekzekutive e AZHR- Qendër, Mrika Macula, theksoi se në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë, Agjencioni për Zhvillim Rajonal – Qendër po punon drejt trajnimit të të rinjve në aftësi të buta, si dhe këshillimin e ndërmarrësve për aplikim në grante. Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, tha se fuqizimi i ndërmarrësisë nënkupton edhe fuqizimin e shtetit, dhe se të rinjtë kosovarë me përkrahjen e gjithanshme brenda dhe jashtë institucionale duhet të krijojnë perspektivë për të tashmen dhe të ardhmen e tyre me anë të ndërmarrësisë.
Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, tha se qëllimi i kësaj organizate për këtë javë është që me të rinjtë e Kosovës të ndajë sa më shumë histori inkurajuese të suksesit. Ai u shpreh se sot në Kosovë ekzistojnë rrethana më të favorshme për të qenë ndërmarrës, ndërsa sektori privat ofron mundësitë më të mëdha për zhvillimin e karrierës. Zeka i inkurajoi të rinjtë e pranishëm që nga tani të fillojnë me caktimin e synimeve të tyre, në mënyrë që në të ardhmen të kontribuojnë për shoqërinë.