Mitrovicë, 19 nëntor 2019 – Në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë, Oda Amerikane në bashkëpunim me universitetin IBCM (International Business College Mitrovica) në Mitrovicë, organizoi ngjarjen “Të bëhesh Ndërmarrës: Perspektivat e Vetëpunësimit” ku ndërmarrësi kosovar Agon Gashi nga Meridian Express, si dhe ai serb Bojan Slavkovic nga PIXEL Mitrovica ndanë me studentët pikëpamjet e tyre mbi ndërmarrësinë, si dhe rrëfimet e tyre përkatëse si ndërmarrës të suksesshëm.
Para një grupi studentësh të etnive të ndryshme u diskutua mbi mundësitë e shumta që rrjedhin nga përfshirja e të rinjve në ndërmarrësi. Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, i inkurajoi të rinjtë që të orientohet kah ndërmarrësia, meqenëse sektori privat ofron mundësi të shumta për zhvillim të karrierës, dhe njëkohësisht kontribuon në zhvillimin ekonomik të vendit.
Agon Gashi, ndërmarrësi nga Meridian Express, foli për rrugëtimin e tij deri në krijimin e rrjetit të dyqaneve, duke diskutuar mbi sfidat me të cilat përballet, por gjithashtu edhe suksesin e Meridian Express. Ndërsa Bojan Slavkovic nga PIXEL Mitrovica, diskutoi për risqet që ka ndërmarrë duke dhënë dorëheqje nga një punë e sigurtë për ta zhvilluar biznesin e suksesshëm të cilin sot e drejton. Në këtë mënyrë, ai i nxiti të rinjtë të mos e limitojnë veten pavarësisht sfidave me të cilat mund të ballafaqohen.