Prishtinë, 19 nëntor 2019 – Si pjesë e aktiviteteve të Javës Globale të Ndërmarrësisë, Oda Amerikane në bashkëpunim me Agjencionin për Zhvillim Rajonal -Qendër, ka zhvilluar në Shtime ngjarjen e titulluar “Të bëhesh Ndërmarrës: Perspektivat e Vetë-Punësimit”, me qëllim kryesor ngritjen e vetëdijes mbi ndërmarrësinë tek të rinjtë e kësaj komune. Në këtë takim u diskutua për rolin e aktiviteteve ndërmarrëse në mirëqenien sociale dhe jo vetëm.
Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, gjatë kësaj tryeze u shpreh se është shumë e rëndësishme që të rinjtë ta shohin ndërmarrësinë dhe sektorin privat si mundësi për zhvillim profesional dhe të karrierës, por edhe të mënyrë së dhënies së kontributit për shtetin e Kosovës dhe shoqërinë. Ndërsa, ndërmarrësi i suksesshëm nga kompania Eurokosova – Flutra, Gojart Kelmendi, tregoi për hapat që ka marrë drejt krijimit të ndërmarrjes së tij, si dhe vështirësitë nëpër të cilat ka kaluar dhe vazhdon të kalojë si prodhues. Ai më tutje shtoi se sot megjithatë është shumë më e lehtë për të rinjtë që të nisin një ndërmarrje të re, e posaçërisht në sektorin e ekonomisë digjitale, ku mundësitë janë të pafundme.