Prishtinë, 23 nëntor 2019 – Aktiviteti i 14-të dhe njëherazi përmbyllës i Odës Ekonomike Amerikane për Javën Globale të Ndërmarrësisë, ishte tryeza e diskutimit mbi pikëpamjet digjitale të fillimit të një biznesi, ku Mentor Latifi nga Sutherland, si dhe Arianit Fazliu nga Kutia, diskutuan përveç tjerash edhe mbi avantazhet konkurruese të Kosovës në këtë aspekt, si dhe mundësitë e mëtutjeshme për përmirësim të sektorit.
Para të rinjve të pranishëm, Arianit Fazliu, si ndërmarrës i suksesshëm, rrëfeu mbi krijimin e kompanisë Kutia. Ai theksoi se Kosova është në momentet më të mira të zhvillimit të digjitalizimit, dhe se brenda disa vitesh vetëdija mbi rëndësinë e kësaj fushe dhe përfitimet që ajo sjell janë rritur substancialisht. Ndërsa, Mentor Latifi spjegoi arsyet pse një kompani globale siç është Sutherland e ka parë tregun kosovar si atraktiv për investim, dhe gjithashtu diskutoi mbi rrugëtimin e kësaj kompanie që nga krijimi i saj në Kosovë e deri më sot. Si avantazh kryesor të vendit në aspektin digjital, ai e cilësoi zonën e favorshme kohore, si dhe çmimet e lira të këtij tregu.
Ndërsa, të dy folësit theksuan se një nga sfidat kryesore të sektorit digjital, mbetet kualifikimi i fuqisë punëtore në këtë drejtim, duke e cilësuar se sistemi arsimor ka nevojë për reforma që janë në përputhje me zhvillimin dinamik të teknologjisë.
Java Globale e Ndërmarrësisë në Kosovë organizohet nën udhëheqjen e Innovation Centre Kosovo ndërsa aktivitete të lidhura me ndërmarrësi në kuadër të kësaj jave organizohen në 180 shtete të tjera të botës.