Prishtinë, 19 nëntor 2019 – Në vazhdimësi të aktiviteteve të organizuara në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë, Oda Ekonomike Amerikane organizoi ngjarjen “Të fillosh në Kosovë: Pikëpamjet ligjore dhe tatimore”, ku u diskutuan këndvështrime të ndryshme mbi legjislacionet dhe sistemin tatimor në vend, si dhe ndikimin e tyre në fillimin e një biznesi.
Ruzhdi Zenelaj, ekspert i lartë tatimor dhe këshilltar i taksave në Deloitte Kosova, dha informacione të rëndësishme sa i përket sfidave dhe mundësive në aspektin tatimor për fillimin e një biznesi, duke theksuar se sistemi tatimor në vend është i përafërt me atë të vendeve të BE-së. Ai gjithashtu përmendi ligjet relevante në keto çështje, ku ndër sfidat kryesore e cilësoi atë se legjislacionet në vend lënë shumë hapësirë për interpretim. Tutje, Zenelaj u përqëndrua në dispozitat favorizuese të këtyre ligjeve, si mundësi që duhet të merren parasysh për nxitjen e ndërmarrësisë.
Virtyt Ibrahimaga, avokat dhe partner drejtues në firmën juridike Shita dhe Ibrahimaga, tha se sfida kryesore më të cilën përballen bizneset startup në aspektin ligjor është se shteti jonë nuk ka ndonjë legjislacion ndihmës sikurse shtetet e zhvilluara të Evropës dhe Amerikës, të cilat i inkurajojnë jazhtëzakonisht shumë bizneset e reja duke ua mbuluar shpenzimet iniciale dhe duke u ofruar infrastrukturë adekuate për fillimin e biznesit. Sidoqoftë, ai u shpreh se një avantazh për start-upet në Kosovë është se procedurat legjislative për themelimin e kompanive janë më të thjeshta.
Për më tepër, të dy panelistët inkurajuan pjesëmarrësit të kërkojnë këshilla profesionale pasi kjo i ndihmon ata shumë për evitimin e rreziqeve eventuale.