Prishtinë, 25 shtator 2017 – Qendra e Arbitrazhit e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë ka organizuar trajnim për këshilltarët ligjorë të kompanive mbi arbitrazhin dhe ndërmjetësimin tregtar. Ky organizim ka mbledhur kompanitë anëtare të Odës Ekonomike Amerikane në mënyrë që t’i njoftojë më për së afërmi me metodat alternative të zgjidhjes së kontesteve dhe t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve të tyrë mbi procedurën e arbitrazhit dhe rolin e ndërmjetësimit.
Avokati, Kujtim Kërveshi ka shërbyer në rolin e trajnuesit mbi arbitrazhin tregtar. Ai ka informuar këshiltarët ligjorë mbi benefitet e arbitrazhit, mënyrën e hartimit të klauzolave të arbitrazhit, si dhe atë të marrëveshjes së arbitrazhit, të aplikueshme pas lindjes së kontestit. Për më tepër, z.Kërveshi ka theksuar dallimet ndërmjet gjykatës dhe arbitrazhit, duke lobuar për përdorim më të madh të medotave alternative për zgjidhjen e kontesteve, gjithmonë duke marrë parasysh avantazhet e tyre në raport me gjykatat, sidomos në lidhje me kohën e zgjatjes së procedurës, efikasitetin dhe konfidencialitetin.
Shibani Shah, zëvendësudhëheqëse e projektit të USAID-it mbi Përmbarimin dhe Legjislacionin Komercial, ka informuar pjesëmarrësit mbi përparësitë e ndërmjetësimit dhe si I njëjti u shërben kompanive më mirë se sa procedura gjyqësore. Më tutje, ajo ka informuar të pranishmit edhe mbi risitë e draft Ligjit të ri për Ndërmjetësimin. Së fundmi, ajo ka theksuar që edhe shërbimet e ndërmjetësimit, ofrohen nga Qendra e Arbitrazhit e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.