Prishtinë, 20 nëntor 2020 – Aftësimi profesional i të rinjëve në vend për të përmbushur kërkesat dhe nevojat e tregut të punës qoftë në sektorin publik apo privat, duhet të jetë prioritet i institucioneve edukative. Kjo u tha gjatë një forumi virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë dhe Agjencia Rajonale për Zhvillim – Qendër, në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë, e cila në Kosovë organizohet nën udhëheqjen e Qendrës së Inovacionit të Kosovës (ICK).
Erald Pashaj, kryeshef ekzekutiv i EPPC Albania & Kosova njëherit edhe moderator i forumit, duke iu referuar disa statistikave të nxjerra nga kompania që ai drejton cilësoi se një përqindje e madhe e të rinjëve janë të prirur të kërkojnë punë në shtetet e rajonit të shtyrë nga pagat më të larta, derisa cilësoi si shqetësues numrin mjaft të vogël të të rinjëve që drejtohen nga sektori privat me qëllim që të bëhen ndërmarrës.
Zelushe Ramadani, drejtoreshë e Qendrës Rinore në Obiliq tha se gjatë Javës Globale të Ndërmarrësisë qendra që ajo drejton ka organizuar trajnime rreth ndërmarrësisë për të rinjtë e kësaj komune, që t’i aftësojë ata në krijimin e një plani, dhe themelimin e një biznesi. Ramadani gjithashtu cilësoi si shqetësuese tendencën që kanë shumica dërmuese e të rinjve për të kërkuar punë në sektorin publik, si dhe interesimin e ulët për sektorin privat. Tutje, ajo përmendi edhe nevojën për rritje të kapaciteteve brenda shkollave profesionale në Obiliq që të mundësohet kryerja e praktikës brenda shkollës.
Atdhe Gashi përfaqësues i Departamentit të Burimeve Njerëzore në kompaninë NewCo Ferronikeli theksoi se qëllimi kryesor i kësaj kompanie është identifikimi dhe krijimi i politikave të duhura për nxitjen e punësimit si dhe fuqizimin e vazhdueshëm të krahut të punës brenda kompanisë. Këtu ai shtoi edhe bashkëpunimin me shkollat e mesme profesionale si dhe universitetet, për gjetjen dhe avancimin e talenteve të rinj. Gashi gjithashtu tha se një ndër arsyjet pse të rinjtë mund të jenë të papërgatitur është mungesa e njohurive rreth tregut të punës, që rrjedhimisht ul vetëbesimin e tyre. Ai gjithashtu shtoi se aspekti teknologjik ka krijuar një diskrepancë mes pjesës teorike që mësohet në sistemet edukative dhe praktikës së saj në jetë reale.