Transformimi i nxitur nga pandemia COVID19 ka ndikuar në ndryshimin e kërkesave për financim

Shpërthimi i pandemisë COVID19 ka krijuar rrethana të reja ekonomike duke ndikuar në transformimin e bizneseve dhe rritjen e digjitalizimit. Kjo pa dyshim që ka ndikiar edhe në kërkesat për financim, ashtu si edhe në trendet e huadhënies nga institucionet financiare, si bankat komerciale vendore apo edhe institucionet ndërkombëtare. Kjo u tha në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë.

Në hapje të forumit, Majlinda Aliu, gazetare, e njëherit edhe moderatore e panelit, tha se pandemia ka ndikuar në një rivendosje në kompani në përgjithësi, duke bërë që shumë kompani të ridizajnojnë operacionet e tyre, duke ndryshuar qasjen dhe duke u fokusuar në digjitalizim. Kjo natyrisht ka ndikuar në rritjen e kërkesës për kapital, tha ajo.

Visar Perani nga Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC) tha se fokusi i organizatës në te cilin ai punon është sektori privat. Ai tha se ndikimet negative të pandemisë në ndërmarrje kanë bërë që kërkesa për financim të projekteve të reja ka shënuar rënie nga marsi i vitit 2020, edhe për shkak të kujdesit të shtuar të kompanive në Kosovë për investime të reja në rrethana të pasigurisë se lidhur me pandeminë. Megjithatë, ai tha, se kerkesa ka filluar të rritet lehtazi në tremujorin e parë te vitit 2021. Ai foli për rritje të eksportit të produkteve nga Kosova që ka ndodhur gjatë viteve të fundit, duke sugjeruar kompanitë që të orientohen në produkte dhe shërbime të tilla, të cilat mund të financohen më lehtë edhe nga IFC e edhe nga institucionet e tjera. Perani theksoi nevojën e përmirësimit të qeverisjes korporative tek kompanitë e medha, e cila mes tjerash do të ndihmonte edhe në qasjen në tregjet e mëdha.

Leonora Kusari nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim tha se në vitin 2020 ka pasur rritje të kërkesës për 35% krahasuar me vitin paraprak, ndërsa këtë vit ka pasur rritje të kërkesës për 50% dhe kjo kërkesë për përkrahje ka përfshirë kryesisht ridizajnimin e planeve të biznesit, riorganizimin e ndërmarrjeve. Poshtu, kërkesë tjetër e shtuar ka qenë edhe përkrahja për zgjidhje softuerike, respektivisht të rritjes së digjitalizimit, e kjo përfshin edhe kalimin e shitjeve të bizneseve në tregti elektronike. Ajo tha se instrumentet e BERZH janë kryesisht për financim në projekte investive. Ajo tha se BERZH ka krijuar një program “REBOOT” për mbështetje të ndërmarrjeve në procesin e rimëkëmbjes, përmes këshillimit, por edhe në ngritjen e cilësisë së produkteve të cilat përmbushin standardet evropiane.

Në anën tjetër, duke përfaqësuar sektorin e bankave komerciale, Muharrem Inan nga Banka Kombëtare Tregtare tha se vitin e kaluar fokusi i bankës ka qenë në mbeshtetjen e klientëve të cilët ishin në modalitet mbijetese, ndërsa këtë vit ekonomia e Kosovës ka pasur performancë më të mirë në rajon, edhe për shkak se është ekonomi e nxitur nga konsumi edhe pse për periudhë afatgjatë kjo nuk ofron qëndrueshmëri. Rrjedhimisht, BKT i jep prioritet në financim, kompanive me struktura të qëndrueshme. Ai ritheksoi nevojën e përmirësimit të qeverisjes korporative tek kompanitë kosovare.

Dardan Sejdiu, konsulent financiar, tha se problemi kryesor në ekonominë e Kosovës është mungesa e një drejtimi të qartë për sa i përket strukturës së ekonomisë që i nevojitet vendit, meqë ekonomia aktuale e bazuar në konsum nuk krijon vlerë. Ai po ashtu adresoi nevojën e trajnimit të të rinjve në përputhje me trendet e ardhshme ekonomike, e që janë ekonomia e gjelbër dhe digjitale. Të nevojshëm ai e konsideron zhvillimin e kapaciteteve të absorbimit të financimit edhe të institucioneve financiare ndërkombëtare por edhe të bankave komerciale për këto trende të ardhshme.

Të gjithë panelistët u dakorduan se institucionet e vendit kanë rol kyc në krijimin e një qasje strategjike për zhvillimin ekonomik të vendit duke u fokusuar në sektorët dhe burimet që ofrojnë potencial më të madh.