Tryeza “Qite n’Letër”

Prishtinë, 17 Nëntor, 2015 – Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë në bashkëpunim me Programin për Përmbarim dhe Legjislacion Komercial të USAID (CLE) organizoi tryezën e rrubmullakët në kuadër të Javës së Globale të Ndërmarrësisë 2015, nikoqir i së cilës është Qendra për Inovacion e Kosovës (ICK). Kjo tryezë kishte për qëllim diskutimin e rëndësisë së kontratave, arbitrazhin dhe ndërmjetësimin, si dhe zhvillimin e sistemit të përmbarimit privat. Pjesë e panelit ishte Ardi Shita, Specialist Ligjor i USAID CLE; Anjezë Gojani, Sekretar Gjeneral i Qendrës së Arbitrazhit, dhe Ardian Kryeziu, Këshilltar i Lartë Ligjor në USAID CLE. Në fjalimin e saj hyrës, Shibani Shah, Specialiste Ligjore në USAID CLE, theksoi rëndësinë e përfshirjes së qytetarëve të rinj në kuptimin e rëndësisë së kontratave dhe lehtësimin e procedurave për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Më tutje, ajo sqaroi se si USAID CLE konsiston ne tri fusha kryesore, përfshirë kontratat, ndërmjetësimin, arbitrazhin, dhe zbatimin e kontratave. Ardi Shita elaboroi mbi modalitetet e kontratës të cilat variojnë nga marrëveshja e shkruar në mes të palëve dhe nënshkrimi i saj në letër deri tek format më komplekse të hartuara me ndihmën e këshilltarëve ligjor. Ai poashtu diskutoi se si kontratat mund të shërbejnë si mekanizëm i thjeshtë i cili siguron të drejtën e apelit dhe përmbarimit, më tutje duke paraqitur formatin e elementeve përbërëse të kontratës. Përderisa Anjezë Gojani ritheksoi rëndësinë e kontratave si formë e cila shërben për të mbrojtur interesat e palëve, dhe mbi të gjitha, si mjet i cili krijon efekt psikologjik pozitiv mbi palët në drejtim të përgjegjësive të përmbushjes së detyrimeve të cilat i kanë nënshkruar. Anjeza poashtu prezantoi praktika të reja për zgjidhjen e kontesteve siç është ndërmjetësimi dhe arbitrazhi, duke theksuar se këto procedura janë më të lira, konfidenciale, më të lehta dhe të shpejta në krahasim me rastet e rregullta në procedurë gjyqësore.

Në anën tjetër, Ardian Kryeziu u fokusua më shumë në mekanizmin e përmbarimit privat, si praktikë e re në shtetin tonë. Ai theksoi se pavarësisht numrit të vogël të përmbaruesve privat për kokë banori, shteti jonë vazhdon të punoj kënaqshëm në këtë aspekt. Sipas tij, përgjatë 14 muajve, përmbaruesit privat kanë arritur që të mbledhin borxhe në vlerë prej 23 milion euro, gjë që tregon efikasitetin e punës së tyre.

Në fund, pjesëmarrësit kishin mundësinë që të adresojnë pyetjet e tyre drejtë panelistëve dhe të diskutojnë çështje të ndryshme me interes për ta, dhe të cilat lidhen me temën e kësaj punëtorie. Për më tepër, pjesëmarrësit kishin mundësinë që të pajisen me format standarde të kontratave.