USAID dhe Oda Amerikane trajtojnë sfidat dhe rëndësinë e Gjykatës Komerciale

Prishtinë, 15 shkurt 2024 – Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, në bashkëpunim me Programin e USAID-it për Drejtësi Komerciale, organizoi një tryezë diskutimi me temën e Gjykatës Komerciale dhe rëndësinë e drejtësisë komerciale. Paneli përbëhej nga Mahir Tutuli, kryetar i Gjykatës Ekonomike të Kosovës, Kushtrim Palushi, avokat në RPHS Law dhe Bardha Tahiri-Jelliqi, Udhëheqëse e Objektivit për mbështetjen e Gjykatës Komerciale të Programit të USAID-it për Drejtësi Komerciale. Diskutimi përfshiu një pasqyrë gjithëpërfshirëse të aktiviteteve të Gjykatës Komerciale dhe u dha mundësi kompanive anëtare të Odës Amerikane të angazhohen në një dialog rreth të drejtës komerciale.

Gjatë diskutimit në tryezën e rrumbullakët, mungesa e fondeve dhe stafit administrativ për Gjykatën Komerciale u identifikua si një çështje e rëndësishme, duke çuar në vonesa në zgjidhjen e lëndëve, ku kërkohen të paktën 36 gjyqtarë. Bardha Tahiri-Jelliqi, e cila poashtu moderoi këtë tryezë diskutimi, theksoi nevojën e mbështetjes adekuate për të përmirësuar efikasitetin e Gjykatës Komerciale. Megjithatë, ajo theksoi rëndësinë e trajnimit të vazhdueshëm për gjyqtarët dhe bashkëpunëtorët profesionistë, si dhe planet e ardhshme për digjitalizim, unifikimin e praktikës dhe ndërmjetësimit komercial.

Një faktor tjetër i rëndësishëm i përmendur ishte krijimi i Gjykatës Administrative. Kryetari i Gjykatës Komerciale të Kosovës, Mahir Tutuli, sqaroi se ka tendenca për ndarje të Gjykatës Komerciale, gjë që do ta minimizonte rolin e saj dhe do të ndryshonte konceptin e “një dritare” për bizneset. Me Gjykatën Administrative, bizneset do të duhet të trajtojnë kërkesën e tyre në dy gjykata të ndryshme. Megjithatë, Tutuli theksoi se Gjykata Ekonomike mbetet institucion kredibil për zgjidhjen e kontesteve. Ai shpjegoi se gjykata i jep prioritet rasteve në bazë të rëndësisë së tyre për bizneset, duke iu dhënë prioritet lëndëve përmbarimore.

Gjatë diskutimit, Kushtrim Palushi, avokat nga RPHS Law, dha njohuri mbi pritjet e bizneseve nga Gjykata Komerciale. Këto pritshmëri tejkaluan atë që gjykata mund të jepte në ditët e para të funksionimit të saj. Palushi theksoi se gjykata është përballur me sfida të shumta për shkak të transferimit të një numri të madh të lëndëve nga departamenti Ekonomik i Gjykatës Themelore, dhe gjykatat tjera themelore në Kosovë. Ai konsideroi se bizneset shpesh hezitojnë të ndërmarrin veprime ligjore për shkak të kostos së lartë të përfaqësimit ligjor, e cila mund të tejkalojë shumën në mosmarrëveshje.

Oda Amerikane vlerëson shumë njohuritë e dhëna nga Gjykata Komerciale dhe Programi i USAID-it për Drejtësinë Komerciale, të cilat ofrojnë një kuptim gjithëpërfshirës të rëndësisë së Gjykatës Ekonomike dhe të drejtës komerciale.