Vendet që e luftojnë pastrimin e parave në ekonomi konsiderohen si ekonomitë më të mëdha në botë

Prishtinë, 15 Dhjetor 2021- Sot në Odën Amerikane u realizua forumi me temë ‘Parandalimi i Pastrimit të Parave në Ekonomi’ dhe ndikimin e tyre, forum ky i cili zgjoi interes të madh nga ana e bizneseve.

Labinot Preniqi, ish-Udhëheqës i Divizionit për PPP/FT në BQK dhe ish zëvdenësdrejtor i NJIF-K përmendi rreziqet e pastrimit të parave dhe ‘ruajtjen’ e përfshirjes së bizneseve në këto dukuri.

Sipas tij, diskutimi dhe tema mbi pastrimin e parave në ekonomi ende mbetet si fushë e re për bizneset duke shtuar që bizneset nuk kanë shumë njohuri rreth kësaj teme dhe sfidave gjithashtu.Tutje, ai tha që si temë është shumë e gjerë dhe e komplikuar sepse ngërthen shumë ‘operacione’ dhe sfida që ndodhin në vazhdimësi.

Aspekti rregullativ ligjor ka evoluar me kohën dhe bizneset duhet të ruhen nga fondet e paligjshme për shkaqe të profitit apo edhe reputacionit të biznesit tha Preniqi. Ai gjithashtu përmendi edhe fazën e vendosjes në pastrimin e parave si fazën me rrezikshmëri më të lartë nga ana e bizneseve

Behar Xhema, UD Drejtor i NJIF-K dhe zëvdenësdrejtor i NJIF-K përmendi si pike shumë të rëndësishme zvogëlimin e përdorimit të parave të gatshme si një ndër faktorët kryesorë që do ndikonin pozitivisht në procesin e pastrimit të parave në ekonomi që sipas tij është bërë tashmë një progres në këtë aspekt.

Sipas tij, bankat përbëjnë rrezikun më të madh, e pas tyre edhe sektorët e tjerë dhe personat juridikë gjithashtu.

Fitim Konjusha, Drejtor i Departamentit për PPP/FT dhe Pajtueshmëri në Unionin dhe moderator i kësaj ngjarje tha që procesi i pastrimit të parave në ekonomi është shkatërrues për ekonominë dhe konkurencën në mes bizneseve.