Vështirësitë për qasje në financa pengojnë zhvillimin e bizneseve të reja

Prishtinë, 17 nëntor 2020 – Pjesë e rëndësishme e zhvillimit të ndërmarrësisë, inovacionit,  dhe bizneseve të reja në vend është padyshim qasja në financa. Një ekosistem i shëndetshëm financiar i cili siguron nivelet e dëshiruara të qasjes në financa lejon krijimin e bizneseve të reja, dhe u lejon atyre të përfitojnë nga mundësitë për t’u zhvilluar, për të rritur nivelet e punësimit, si dhe kontribuon në buxhetin e shtetit duke paguar taksat. Këto u thanë gjatë një forumi virtual të organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë për Javën Globale të Ndërmarrësisë, e cila në Kosovë organizohet nën udhëheqjen e Qendrës së Inovacionit të Kosovës (ICK).

Bersant Disha kryeshef ekzekutiv i kompanisë Recura gjithashtu moderues i forumit cilësoi qasjen e në financa si një ndër sfidat më të mëdha për zhvillimin e bizneseve në vend si tek ato startup por edhe ato të tashmë të etabluara në treg, ndërsa duke iu referua raportimeve të fundit për që ofrojnë një pasqyrë mbi ekonominë e Kosovës, ai potencoi se sektori bankar është mjaft stabil ku në veçanti potencoi bankat komerciale që kanë rezerva të mëdha të likuiditetit.

Ramis Ahmetaj konsulent për biznese, duke u ndërlidhur me sfidat e bizneseve të reja potencoi se shumica dërmuese e bizneseve të reja financohen nga fonde vetanake të themeluesëve si rrjedhojë e pamundësisë në qasje në financa, ndërsa veçoi si pozitive rënien drastike të kostove të borxhit dhe kredive përgjatë viteve të fundit.  Tutje ai theksoi se  një ndër faktorët kryesor që konsiderohet para ofrimit të fondeve në formë të kredive për biznese është niveli i riskut. Ahmetaj gjithashtu tha se në mënyrë që të krijohen kushtet e nevojshme për mbështetje të bizneseve startup edhe përmes metodave të tjera përveç kredi-dhënies duhet të rritet ndërmjetësimi financiar brenda sektorit bankar.

Armend Haxhiu kryesues i departamentit të biznesit në bankën ProCredit potencoi se bizneset startup kanë një barrë më të madhe të riskut dhe si rrjedhojë, qasja e tyre në financa dhe kredi nga institucionet bankare janë të limituara në mënyrë që të mos rrezikohen depozitat e klientëve të bankave. Haxhiu theksoi se sa i përket këtyre mbështetjes së ofruar nga bankat, bizneset startup që krijohen nga korporata aktuale të etabluara në treg gëzojnë përparësi si rrjedhojë e kredibilitetit më të lartë. Tutje, duke folur nga perspektiva e bankës që përfaqëson, Haxhiu tha se janë rritur kërkesat për financim të projekteve në sektorët si ai i energjisë së ripërtrishme, si dhe të kontratave të eksportit.