Vetëbesimi dhe këmbëngulja, faktorë që ndihmojnë në tejkalimin e çdo sfide

Prishtinë, 26 prill 2022 – Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mbajti aktivitetin e radhës në kuadër të javës së vajzave në TIK të organizuar nën patronatin e Komunës së Prishtinës. Tema që u diskutua në prezencë të nxënëseve të shkollave fillore ishte përforcimi i fuqisë së vajzave në teknologji.

Zana Curri, Udhëheqëse e ekipit të zhvillimit të softuerëve, në kompaninë Radix, tha se me rritjen e kërkesës në sektorin e TIK, viteve të fundit është rritur edhe pjesëmarrja e vajzave në këtë fushë. Ajo theksoi se femrat në sektorin e TIK hasin me paragjykime të mëdha, mirëpo këto janë sfida që mund të tejkalohen duke punuar dhe duke besuar në vetvete.

Menaxherja në kompaninë Sutherland, Shpresa Kika tha se puna në  sektorin e TIK është punë shumë tërheqëse dhe interesante. Ajo tha se për të arritur sukses duhet punuar shumë në fitimin e aftësive profesionale dhe se sfidat janë pjesë e procesit të cilat duhet tejkaluar me vetëbesim dhe këmbëngulje. Më tutje, ajo theksoi se tregu në Kosovë është treg që ofron shumë mundësi për zhvillimin e të rinjve, veçanërisht në industrinë e teknologjisë.

Drenusha Ymeri, Menaxhere e Burimeve Njerëzore në kompaninë Litera tha se Kosova është vend me shumë talent dhe potencial për zhvillim të kësaj industrie. Ajo shtoi se ka shumë të rinj dhe të reja që duan të studiojnë në fushën e teknologjisë sepse kjo fushë, përveç se është interesante, sjell edhe shumë përfitime.

Menaxherja e zhvillimit të biznesit në kompaninë LinkPlus, Iliriana Ibraj, njëherit edhe moderatore e kësaj ngjarjeje tha se është e rëndësishme që vajzat në sektorin e TIK-ut, edhe pse në numër të vogël, të mos ndjehen inferiore dhe të shprehin mendimin e tyre në çdo ambient që ndodhen. Në vazhdim, ajo shprehu rëndësinë e edukimit të vazhdueshëm dhe fitimit të njohurive që ndihmojnë në profesion.