Zbatimi i të drejtave të pronësisë intelektuale ndikon në nxitjen e investimeve

Prishtinë, 26 prill 2021 – Me qëllim të shënimit të ditës botërore të pronësisë intelektuale dhe me qëllim të diskutimit të rëndësisë së mbrojtjes efektive të pronësisë intelektuale në fuqizimin e ndërmarrjeve të vogla e të mesme, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi forumin me temë; “Pronësia Intelektuale dhe NVM-të: Plasimi i ideve në treg”, me hisedarë nga Ambasada e SHBA-së, sektori privat dhe institucionet përkatëse shtetërore.

Mes tjerash, Kujtesa Nezaj Shehu, Shefe e Zyrës në SDP Kosovo, e njëkohësisht edhe moderatore e këtij forumi, përmendi nevojën për të ngritur vetëdijen për mbrojtjen e të drejtave intelektuale sepse përkundër ligjeve zbatimi i tyre ende mbetet problem.

Valerie Tucker, Zyrtare për Ekonomi dhe Tregti në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, theksoi rëndësinë e të drejtave të pronësisë intelektuale për bizneset, po ashtu edhe për shtetin. Tucker theksoi se këto të drejta çojnë drejt inovacionit, mbrojnë konsumatorin si dhe tërheqin investime në vend. Ajo, gjithashtu, theksoi se në rast të investimeve nga ndonjë investitor i huaj, është e rëndësishme mbrojtja e të drejtave intelektuale, pasi që asnjë investitor nuk do dëshironte të ngecte në një beteje ligjore të pafund.

Po ashtu, Nezir Gashi, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë për Pronësi Industriale, theksoi se përkundër faktit se numri i aplikimeve në Agjencinë për Pronësi Industriale është rritur ndër vite, ende mbetet në nivel jo të kënaqshëm. Ai, gjithashtu, theksoi se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme duhet të kenë njohuri rreth pronësisë intelektuale pasi bizneset që i mbrojnë të drejtat intelektuale janë më elastike përballë sfidave.

Udhëheqësja e Sektorit për të Drejtat e Pronësisë Intelektuale në Doganën e Kosovës, Sadije Topojani, theksoi se zbatimi i të drejtave të pronësisë intelektuale  kontribuon në krijimin e kushteve optimale për tërheqjen e investimeve të huaja. Njëkohësisht, ajo ceku edhe mesazhet vetëdijësuese për qytetarët nga Dogana e Kosovës dhe ekspozimin e produkteve të falsifikuara që të njoftojnë qytetarin me rrezikun që u shkaktohet nga produktet e falsifikuara.

Në anën tjetër, Agron Selimaj, Avokat, tha se bizneset nuk janë të ndërgjegjësuara për mbrojtjen e markës së tyre, si dhe listoi hapat e mundshëm që mund t’i ndërmarrë një biznes në rast se i janë shkelur të drejtat e pronësisë intelektuale.

Krejt në fund, Luljeta Plakolli Kasumi, Eksperte mbi të Drejtat e Pronësisë Intelektuale, theksoi nevojën e bizneseve për një portfolio të pronësisë intelektuale, e cila do të shërbente për parandalimin e shkeljes së të drejtave intelektuale dhe komercializimin e aseteve.