Zëri i rinisë vlen në vendimarrje dhe politikëbërje

Prishtinë, 11 nëntor 2021- Për të diskutuar rolin e të rinjve në vendimarrje, i ftuari i radhës në forumin e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ishte Ognjen Marković nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC).

Andina Vllahiu Kelmendi, Menaxhere e Politikave dhe Komunikimit në Oden Ekonomike Amerikane në Kosovë tha se në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë, Oda Amerikane ka organizuar aktivitete që kanë elemente të rëndësishme të ekosistemit ndërmarrës dhe se kjo përfshin kapitalin njerëzor duke përfshirë edhe pjesëmarrjen e të rinjve. Tutje, ajo tha se Kosova ka të rinj të shumtë dhe në këtë aspekt pjesëmarrja e të rinjve dhe gjeneratave të reja do të thotë zgjidhje më të mëdha dhe inovative në vendin ku ata jetojnë apo punojnë.

Ognjen Marković, Udhëheqës i Ekipit për Ballkanin Perëndimor, RCC, tha se qëllimi i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal është të promovojë pjesëmarrjen e rinisë duke u mbështetur në këshillat rinore që të sjellin praktikat më të mira nga të gjitha zonat. Sipas tij, rritja e pjesëmarrjes të të rinjve nuk është gjë e lehtë për t’u bërë, por janë në rajonin ku gjeneratat e reja kanë potencial dhe talent të madh. Për më tepër, Markovic tha se të rinjtë po largohen dhe se vendet e rajonit duhet t’i shohin të rinjtë si zgjidhje dhe investim kyc në shoqëri.

Ai rekomandoi mbështetjen e të rinjve në vendimarrje pasi shumë nga ta po largohen për shkak të numrit të madh të papunësisë. Prandaj, është e rëndësishme që të rinjtë të motivohen dhe inkurajohen të kontribuojnë dhe qëndrojneë në vendet e tyre. Markovic tha se Kosova po prin në tregun e inovacionit dhe të rinjtë duhet t’i përdorin njohuritë dhe aftësitë e tyre duke përmendur përkushtimin si një nga aspektet më të rëndësishem lidhur me pjesëmarrjen rinore në vendimarrje dhe politikëberje.