Zgjidhja e mungesës së fuqisë punëtore në prodhim

Prishtinë, 21 shtator 2022 – Oda Ekonomike Amerikane shënoi ditën e tretë të Javës së Kapitalit Njerëzor, ku u diskutua për mungesën e fuqisë punëtore në prodhim. Në panel ishin Gojart Kelmendi, drejtor ekzekutiv i Euro Kosova sh.p.k dhe Shpëtim Kalludra, ekspert në Agjencinë Kosovare të Punësimit.

  1. Kelmendi theksoi shqetësimin për mungesën e fuqisë punëtore, e cila po prek të gjithë sektorët në vend, veçanërisht sektorin e prodhimit. Ky fenomen është bërë më i dukshëm vitet e fundit, pasi fluksi i fuqisë punëtore jashtë vendit është rritur në nivele të paprecedentë. Është e rëndësishme të identifikohen arsyet pse po ndodh kjo mungesë, për t’i trajtuar ato siç duhet.
  2. Kalludra u shpreh se kualifikimet joadekuate dhe mungesa e programeve të specifikuara për kërkesat e tregut të punës po kontribuojnë në mungesën e fuqisë punëtore. Qeveria ka identifikuar shqetësimin dhe si rrjedhojë ka punuar në skema me synim rritjen e shkallës së punësimit dhe lehtësimin e barrës së punëdhënësve. Dy skema janë paraqitur së fundi nga qeveria, përmes Agjencisë Kosovare të Punësimit.

Skema e parë, e ashtuquajtura masa 1.8, ofron ndihmë për bizneset duke shpërndarë 170 Euro për punonjësit e rinj për 6 muaj rresht, me mundësi zgjatjeje edhe për 6 muaj. Skema e dytë përfshin mbështetje për familjet pa asnjë anëtar të punësuar, duke siguruar një pozicion pune dhe një mbështetje prej 300 Euro në muaj për një anëtar të çdo familjeje të papunë.

Vlen të theksohet se rreth 70 mijë qytetarë janë vazhdimisht në punë për shkak të mbështetjes së Agjencisë së Punësimit. Krahas sfidës së plotësimit të kërkesës për punonjës, sektori i prodhimit përballet me një sfidë prodhimi, duke pasur parasysh varësinë e tij të lartë nga importi.