Zhvillimi i kapitalit njerëzor; përgjegjësi e secilit segment të shoqërisë

Prishtinë, 26 prill 2022 – Çështjet e lidhura me kapitalin njerëzor, përfshirë edhe sigurimin e kuadrove profesionale të punës janë raportuar si çështjet më brengosëse nga ana e bizneseve. Banka për Biznes gjatë muajit maj do të hap Akademinë e Burimeve Njerëzore, projekt i cili ka për qëllim thelbësor zhvillimin e kuadrove të punës.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka organizuar punëtorinë zhvillimi i kapitalit njerëzor, ku u diskutuan përfitimet kryesore që do të vijnë nga Akademia e Burimeve Njerëzore.

Anita Kosumi, Udhëheqëse e Departamentit të Burimeve Njerëzore në BPB tha se Akademia Bankës për Biznes është duke u kurorëzuar me pesë gjenerata të BPB Junior. Ajo tha se ky program ofron mundësi për të dëgjuar dhe për të mësuar nga eksperiencat e të tjerëve, dhe se si i tillë, përmes konsultimeve dhe diskutimeve, do t’i udhëzojë studentët drejt karrierës që ata duan. Si pjesë e këtij trajnimi, ajo përmendi se do të mësohen edhe shkathtësitë e buta dhe inteligjenca emocionale, përmes të cilave këta punëtor do të jenë të aftë të krijojnë kulturë të shëndetshme të kompanisë kudo që shkojnë.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka tha se një nga shqetësimet kryesore të ngritura nga ana e bizneseve viteve të fundit ka qenë kapitali njerëzor dhe gjetja e kuadrove të duhura të punës. Ai theksoi se përveç institucioneve qendrore, rol të rëndësishëm në zvogëlimin e hendekut midis kërkesës dhe ofertës së punës luajnë edhe asociacionet e biznesit dhe vetë bizneset.