Zombie Soup zhvillon platformën e vetë-diagnostikimit për COVID-19

Me qëllim kontributi në komunitet dhe për lehtësimin e punës së mjekëve, të cilët në luftën me Virusin Korona qëndrojnë në vijën e parë të frontit, Zombie Soup në bashkëpunim me partnerët e saj kanë zhvilluar platformën Kosova.Health e cila është dhuruar falas për Qeverinë e Kosovës, respektivisht Ministrinë e Shëndetësisë.

Kjo platformë përmban informacionet e përditësuara lidhur me Koronavirusin në Kosovë dhe udhëzime rreth masave parandaluese. Pjesë e rëndësishme e kësaj platforme është rubrika “Fol me mjekun”, përmes së cilës qytetarët mund të parashtrojnë pyetje lidhur me shqetësimet e tyre shëndetësore rreth Covid-19 dhe njëkohësisht të marrin përgjigje nga profesionistët e shëndetësisë.